Në një moment kur bashkëpunimi euroaziatik po merr një rëndësi gjithnjë e më të madhe, Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, e cilësoi Azerbajxhanin dhe vendet e Azisë Qendrore si një hapësirë të përbashkët gjeopolitike dhe gjeoekonomike, duke u angazhuar për thellimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat gjatë Takimit Joformal të Krerëve të Shteteve në Cholpon-Ata të Kirgistanit.
Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, mori pjesë në Takimin Joformal të Krerëve të Shteteve të vendeve të Azisë Qendrore dhe Azerbajxhanit, të zhvilluar në qytetin Cholpon-Ata të Kirgistanit, ku theksoi se marrëdhëniet mes Azerbajxhanit dhe vendeve të rajonit kanë hyrë në një fazë të re strategjike.
Presidenti Aliyev u prit nga homologu i tij kirgiz, Sadyr Zhaparov, ndërsa në takim morën pjesë edhe presidentët e Uzbekistanit, Kazakistanit, Taxhikistanit dhe Turkmenistanit.
Në fjalën e tij, Aliyev falënderoi Presidentin Zhaparov për ftesën dhe për mikpritjen, duke vlerësuar përparimin ekonomik të Kirgistanit dhe zhvillimin e zonës së Liqenit Issyk-Kul si një destinacion turistik me rëndësi ndërkombëtare.
Presidenti azerbajxhanas njoftoi se gjatë vizitës së tij shtetërore në Kirgistan u nënshkrua një paketë e gjerë marrëveshjesh dypalëshe, ndër të cilat veçoi Traktatin për Marrëdhënie Aleate, të cilin e cilësoi si nivelin më të lartë të bashkëpunimit mes dy vendeve.
Aliyev bëri të ditur gjithashtu se kapitali i Fondit të Përbashkët të Zhvillimit Azerbajxhan–Kirgistan do të dyfishohet, nga 100 milionë në 200 milionë dollarë, me synimin për të financuar projekte të reja ekonomike dhe investime të përbashkëta. Sipas tij, disa ndërmarrje të financuara nga fondi tashmë kanë hyrë në funksion.
Një tjetër projekt i përmendur ishte hoteli me pesë yje “Baku”, i ndërtuar nga pala azerbajxhanase në brigjet e Liqenit Issyk-Kul, i cili, sipas Aliyevit, është gati të presë turistët dhe do të inaugurohet gjatë vizitës së liderëve pjesëmarrës.

Azerbajxhani, pjesë e plotë e formatit konsultativ
Aliyev theksoi se marrëdhëniet me vendet e Azisë Qendrore përbëjnë një nga prioritetet kryesore të politikës së jashtme të Azerbajxhanit.
Ai solli si argument intensifikimin e kontakteve politike në vitet e fundit, duke bërë të ditur se që nga fillimi i vitit 2023 ai ka zhvilluar 16 vizita në vendet e Azisë Qendrore, ndërsa liderët e rajonit kanë realizuar 26 vizita në Azerbajxhan.
“Këto shifra flasin më shumë se çdo fjalë dhe tregojnë se Azia Qendrore dhe Azerbajxhani janë bërë në fakt një hapësirë e vetme gjeopolitike dhe gjeoekonomike,” deklaroi ai.
Presidenti azerbajxhanas kujtoi gjithashtu se kjo ishte hera e parë që merrte pjesë në takim si anëtar me të drejta të plota të formatit konsultativ, pas vendimit të marrë nga krerët e shteteve të Azisë Qendrore në Uzbekistan vitin e kaluar për përfshirjen e Azerbajxhanit në këtë mekanizëm bashkëpunimi.
© 2026 Argumentum





























































