Ambasadori i Republikës së Turqisë në Shqipëri, Murat Ahmet Yörük, në një konferencë për mediat ka folur në lidhje me operacionin “Burimi i Paqes”, i filluar nga Forcat e Armatosura Turke në veri të Sirisë për të pastruar rajonin nga elementet terroriste.
Duke iu përgjigjur edhe pyetjeve të gazetarëve, ambasadori Yörük foli në lidhje me qëllimet e këtij operacioni dhe të drejtat ku bazohet Turqia për realizimin e tij, duke theksuar se Turqia ka kontribuar në luftën kundër terroristëve në Siri.
Ambasadori turk tha se operacioni “Burimi i Paqes” realizohet në përputhje me të drejtën e Turqisë për vetëmbrojtje, në rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB), si dhe në të drejtën e vetëmbrojtjes sipas nenit 51 të Kartës së OKB-së.
“Turqia do vijojë luftën ndaj terrorizmit në rajon dhe në mbarë globin. Nuk do të lejojmë krijimin e një korridori të terrorit në kufirin tonë. Ky është operacion kundër terrorizmit, e jo pushtim ndaj një vendi të huaj. Ky operacion ka për qëllim eliminimin e organizatave terroriste që ende përbëjnë kërcënim ndaj sigurisë tonë kombëtare”, u shpreh Yörük.
Ai theksoi se operacioni po ashtu ka për qëllim të garantojë për refugjatët sirianë që gjenden në Turqi kthimin e sigurt në shtëpitë e tyre në territorin sirian.
“Turqia nuk ka plane për të ndryshuar strukturën demografike të rajonit. Pasi të përfundojmë me sukses operacionin, presim që 1 milion ose më shumë sirianë, kurdë, arabë, të krishterë, që të rikthehen në tokën e tyre”, u shpreh ai.