Deputetët e PS-së kanë rrëzuar në bllok dekretin e presidentit Ilir Meta si pjesë të paketës “Antishpifje”. Radhën e shqyrtimit të dekretit të Presidentit e kishte komisioni parlamentar i Veprimtarisë Prodhuese, me ligjin “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”.
Në këtë komisioni pati mjaft përplasje mes përfaqësuesve të presidencës dhe mazhorancës. Këshilltari ligjor i Presidentit, Bledar Dervishi theksoi se AKEP shërben si masa e fundit pas vendimeve të AMA-s, duke u shndërruar në goditës së fjalës së lirë.
Pavarësisht qëndrimit për të rrëzuar dekretin e presidentit, çështja e ligjit Antishpifje mësohet se i është kaluar për shqyrtim Venecias. Vendimi për t’ju drejtuar Venecias nuk është nga ndonjë institucion shqiptar, por është pikërisht Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës nëpërmjet Komitetit të Monitorimit.
“Komiteti i është drejtuar Komisionit të Venecias marrjen e një opinioni për nr.97/2013 “Për Median Audiovizive”, thuhet në njoftimin e komitetit. Gjithashtu vetë komisioni i Venecias ka bërë ditur se ka në agjendën e punës së tij shqyrtimin e ligjit Antishpifje.
Këshilli i Europës ka kontestuar fuqishëm paketën që u votua në Parlament në dhjetorin e shkuar. Përfaqësuesit e KiE-s në Tiranë gjatë diskutimit të drafteve në Komisionin e Medias kërkuan që të mos miratohej dhe të rishikoheshin.
Gjithashtu një ditë më parë pati edhe një reagim nga ana e Ana Pisoneros, zëdhënëses së Komisionit Europian deklaroi një ditë më parë nga Brukseli që ligji të rishikohet.
Tashmë nuk dihet nëse mazhoranca do të presë mendimin e Venecias për ligjin Antishpifje, apo do të rrëzojë dekretet e presidentit.
Të enjten pritet që komisioni parlamentar i Medias të shqyrtojë dekretin e presidentit Meta për kthimin e ligjit Antishpifje.