Duke hapur seksionin Nish-Merdare të një autostrade të quajtur “Autostrada e Paqes”, presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se ishte krenar për itinerarin, të ndërtuar sipas standardeve më të larta ndërkombëtare, pasi do të ndihmonte zhvillimin e rrethit të Toplicës dhe Serbisë jugore dhe do të bëhej një nga rrugët më të ngarkuara në vend, raportojne mediat serbe.
“Jam krenar që kjo rrugë do të na lidhë si me serbët ashtu edhe me shqiptarët etnikë në Kosovë. Me shqiptarët etnikë në Prishtinë si dhe me serbët në Graçanicë dhe me shqiptarët në Tiranë dhe Durrës. Më lejoni t’ua shpjegoj serbëve – dhe të gjithëve të tjerët – që nuk duan të shohin të ardhmen: kjo do të jetë një nga rrugët më të ngarkuara në 20 deri në 30 vjet”, tha Vuçiq në një fjalim.
Seksioni do të jetë i hapur për qarkullim nga ora 13:00 e së mërkurës.
Vuçiq falënderoi BE-në për ndihmën e madhe për projektin.
“Na kanë bërë dhuratë 40 milionë euro për këtë rrugë. Unë i falënderoj për këtë. Janë shumë para për vendin tonë. Në këtë zonë, është një autostradë e profilit të plotë me një gjatësi prej 3,5-4 km. posaçërisht dua të falënderoj Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, e cila na ka ndihmuar të ndërtojmë këtë projekt kapital me kushte shumë të favorshme”, tha Vuçiq.
/Argumentum.al