Sali Berisha ka komentuar “sulmin” mbi ambasadorin e OSBE-së, Bernd Borchardt. Ai tha se ambasadori ka qenë i njëanshëm, por sipas protesta tek shtëpia nuk duhej të ishte bërë.
“Tani ambasadori Borchardt ka ardhur në Shqipëri pas një letre që opozita i ka bërë sekretarit të përgjithshëm të OSBE që ka kundërshtuar emërimin e tij. Duke e konsideruar ambasadorin si një njeri të lidhur këmbë e kokë me Ramën, për këtë arsye e kemi bërë letrën. Mendoj se ambasadori i cili erdhi i takonte të dëshmonte paanësi, të dëshmonte paanësi në qëndrimet e tij në mënyrë që të fitonte dhe besimin e opozitës. Por po u jap një shembull, që një periudhë para një muaji ndodhi që në tre javë 7 gazetarë u agresuan. Njeriu i parë që duhet të reagonte është ambasadori Borchardt. Të mbronte gazetarët, OSBE ka një komisar të veçantë për mediat. Nuk shqipëroi një fjalë, më ka bërë përshtypje. U bë e neveritshme ajo. Tani e bëri ky për miqësinë që ka ndaj Ramës, por kjo nuk i bëri mirë për demokracinë. Ka një problem madhor, u bë një akt deklaratë dhe pas 10 minutash u hoq ajo dhe doli tjetër. Opozita ka të drejtë të dyshojë, ishte deklaratë e kryeministrit ajo”, theksoi Berisha.