Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken ka diskutuar me presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev dhe kryeministrin e Armenisë, Nikol Pashinyan për negociatat mes dy vendeve, transmeton Anadolu.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matt Miller tha se Blinken ka biseduar me liderët e Azerbajxhanit dhe Armenisë.
Në dy deklarata të ndara, Miller theksoi se Blinken që të dy liderëve u ka theksuar rëndësinë e bisedimeve të paqes Azerbajxhan-Armeni dhe ka përsëritur premtimin e SHBA-së për mbështetje.
“Blinken ka ndarë besimin se paqja është e mundur. Ai ka shprehur shqetësimin e thellë që kanë se krijimi i një pike kontrolli në korridorin Laçin dobëson përpjekjet për ndërtimin e besimit në procesin e paqes dhe ka vënë theksin mbi rëndësinë e rihapjes së korridorit Laçin për automjetet tregtare dhe private sa më shpejt të jetë e mundur”, deklaroi Miller lidhur me bisedën e zhvilluar me Aliyev.
Ndërsa në lidhje me bisedën e zhvilluar me Pashinyan, zëdhënësi Miller tha: “Blinken ka përsëritur se dialogu i drejtpërdrejtë dhe diplomacia janë rruga e vetme për të siguruar paqe të përhershme në Kaukazin Jugor. Ai shprehu vlerësimin e tij për angazhimin e kryeministrit në procesin e paqes”.