Ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, takoi të shtunën dy zyrtarë të lartë të politikës amerikane në rajon, siç janë ndihmës-Sekretari i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Philip Reeker dhe zëvendësi i tij Matthew Palmer, ky i fundit është njëherësh edhe i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor.
Në një postim në Facebook, Cakaj shprehu rëndësinë e marrëdhënieve të Shqipërisë me SHBA-të dhe i deklaroi ato “të patjetërsueshme”.
Sipas Cakajt, takimet u shfrytëzuan për të diskutuar domosdoshmërinë e zhvillimeve politike në Shqipëri për mbajtjen sa më shpejt të konferencës së parë ndërqeveritare me BE-në ku diskutohet anëtarësimi.
Gjithashtu në takimet e ministrit thuhet se është diskutuar për punën në kuadër të OSBE-së dhe përpjekjet e Shqipërisë për të siguruar vend anëtari jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit 2022-2023.
Një ditë më parë, Cakaj takoi edhe Ambasadorin Amerikan për Gjermaninë, Richard Grenell, i cili është njëherësh edhe i dërguari i posaçëm i Presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi.
Duke komentuar takimin, Cakaj këmbënguli se “nuk ka marrëveshje të fshehtë e as plane për ndarjen e Kosovës”.
Të shtunën, 27 qershor, ishte parashikuar që në Shtëpinë e Bardhë të ishin prezent përfaqësuesit e lartë të Kosovës e Serbisë për të diskutuar rifillimin e dialogut, diskutim që u shty pa afat, pasi ndaj Presidentit Hashim Thaçi u adresuan akuza për krime lufte nga Prokuroria Speciale e Hagës.