Gjatë qëndrimit në Berlin, Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, zhvilloi një takim me Ministrin e Jashtëm të Francës, Jean Yves Le Drian.
Tema të diskutimit gjatë takimit ishin organizimi i Konferencës së Donatorëve që do të zhvillohet në Bruksel, më 17 shkurt, si dhe rëndësia e çeljes së negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në BE, gjatë vitit 2020.
Kryediplomati Cakaj lidhur me takimin, shprehu mirënjohje të veçantë ndaj Qeverisë franceze për mbështetjen e pakursyer në procesin e rindërtimit në Shqipëri pas tërmetit.
Sa i përket procesit të integrimit Cakaj theksoi: “Një gjë s’ka fjalë: Shqipëria ka bërë progres të pamohueshëm dhe ka përmbushur të gjitha kushtet për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE!”
Gjithashtu, Cakaj bëri me dije se me homologun francez u dakordësuan për zhvillimin e një komunikim intensiv politik dhe diplomatik në shërbim të projektit evropian për Shqipërinë, menjëherë pas publikimit të metodologjisë së re të negociimit nga ana e Komisionit Evropian.
“Shqipëria do të vazhdojë punën e pakursyer në funksion të hapjes së bisedimeve për anëtarësim në BE.”- siguroi Cakaj.