Stërvitja shumëkombëshe “Defender Europe ’25”, një nga stërvitjet më të mëdha dhe më komplekse të dekadës së fundit në Evropë dhe Afrikë nisi disa ditë më parë nga Shqipëria.
Në kuadër të stërvitjeje, në ujërat territoriale të Durrësit u zhvillua një operacion i simuluar detar, rreth 6 milje larg portit. Sipas mediave, në këtë skenar morën pjesë anije të Flotës Detare Shqiptare “Lissus”, “Oriku” dhe “Semani”, si dhe dy anije amerikane dhe dy helikopterë “Cougar” të Forcës Ajrore.
Për herë të parë, Shqipëria angazhoi në këtë stërvitje dronët e saj pa pilot, apo siç njihen ndryshe dronët Bajraktar, të cilët siguruan pamje në kohë reale për Komandën e Brigadës në Zall-Herr.
Në thelb të demonstrimit ishte një incident i simuluar, ku forcat detare shqiptare dhe amerikane ndërhynë ndaj një anijeje të dyshuar që po largohej nga ujërat territoriale pa leje. Këto ndërhyrje u kryen nga ajri dhe deti, si dhe u monitoruan nga droni Bajraktar.
Nënadmirali dhe Komandanti i Forcës Detare, Adnand Agastra, deklaroi se kjo stërvitje përbën një demonstrim të qartë të bashkëpunimit të ngushtë me aleatët dhe të rolit gjithnjë e më të rëndësishëm të Shqipërisë në arkitekturën e sigurisë rajonale.
“Elementet e sigurisë janë realizuar të gjitha me sukses. Jam krenar për profesionalizmin jo vetëm të forcave të mia dhe të trupave të Forcës Detare, por siç e patë ndërveprimin me Forcat Ajrore, helikopterët, por edhe me forcat speciale, të cilat bënë zbarkimin në anije dhe marrjen në kontroll të saj sipas skenarit. Të gjitha detyrimet dhe veprimet taktike përfunduan në mënyrën më të mirë të mundshme,” u shpreh nënadmirali dhe komandanti i Forcës Detare, Adnand Agastra në një intervistë për RTSH-në.
Misioni “Defender ’25” e ka sjellë në Shqipëri për të bashkëpunuar me trupat shqiptare, ku kapitene Çollaku është e angazhuar në pjesën e inteligjencës. “Fakti që më pëlqen të punoj me ushtrinë shqiptare është një ushtrim multinacional, pasi ka ushtri në çdo lloj vendi të Ballkanit, Evropës dhe kur janë këto mundësi jashtë shtetit, për mua është diçka e mirë”, vijoi ajo.
E drejtuar nga Komanda Evropiane e Shteteve të Bashkuara (USEUCOM) dhe e zhvilluar në bashkëpunim me vendet aleate të NATO-s dhe partnerët strategjikë, stërvitja do të zgjasë deri më 9 qershor 2025.