Gjatë periudhës së Planit të 14-të Pesëvjeçar (2021-2025), Kina ka demonstruar aftësinë e saj për të shndërruar goditjet e jashtme në mundësi për përmirësim afatgjatë, tha një udhëheqës i biznesit gjerman për agjencinë e lajmeve “Xinhua” gjatë një interviste kohët e fundit, duke shprehur besim në zhvillimin e ardhshëm të Kinës.
Michael Schumann, kryetari i Bordit të Shoqatës Federale Gjermane për Zhvillimin Ekonomik dhe Tregtinë e Jashtme, vuri në dukje në këtë intervistë që, pavarësisht prej pasigurive globale, Kina ka vazhduar që të krijojë risi, të digjitalizojë dhe të ndjekë transformimin e gjelbër, duke ruajtur qëndrueshmërinë shoqërore.
“Pak vende mund të arrijnë një ekuilibër të tillë. Unë do t’i përshkruaja këta pesë vjet si një periudhë të transformimit elastik, ku sfidat u bënë katalizatorë për modernizimin,” tha ai. “Planifikimi i Kinës ka një cilësi të ndryshme, pasi zbatimi priret të jetë më i qëndrueshëm dhe njerëzit e përfshirë janë shumë të trajnuar për zbatim.”
“Kina ka çuar përpara inovacionin, ka zgjeruar infrastrukturën digjitale, ka përshpejtuar tranzicionin e gjelbër dhe ka përmirësuar më tej mirëqenien e njerëzve. Ky kombinim i reformës strukturore dhe qëndrueshmërisë shoqërore është vërtet mbresëlënës,” shtoi Schumann-i.
Ai theksoi filozofinë e zhvillimit të Kinës, e cila përqendrohet në inovacion, bashkërendim, rritje të gjelbër dhe hapje. “Na kujton që vetëm shifrat e PBB-së nuk janë të mjaftueshme; zhvillimi duhet të matet me qëndrueshmërinë, përfshirjen dhe elasticitetin”, tha Schumann-i.
Forcat e reja prodhuese cilësore riformësojnë motorin e rritjes globale
Duke u bazuar në këtë vizion, vuri në dukje ai, koncepti i “forcave të reja prodhuese cilësore ” shënon një ndryshim të rëndësishëm në modelin e zhvillimit të Kinës. “Kjo tregon se rritja e ardhshme varet më pak nga puna me kosto të ulët dhe më shumë nga teknologjitë e përparuara, energjia e gjelbër, platformat digjitale dhe kapitali njerëzor”, theksoi ai. “Për Kinën, kjo do të thotë çlirim i forcave të reja nxitëse të modernizimit. Për botën, kjo riformëson motorët e rritjes globale drejt qëndrueshmërisë dhe lulëzimit të përbashkët.”
Schumann-it tha se e ka vizituar Kinën tre herë këtë vit, duke qenë dëshmitar i drejtpërdrejtë i dinamizmit të ekonomisë kineze. Gjatë vizitës në një fabrikë automjetesh elektrike në Pekin, atij i lanë mbresa mjaft të thella automatizimi dhe efikasiteti i nivelit të lartë, të cilat, sipas tij, pasqyrojnë vrullin e fortë të inovacionit industrial të Kinës./cgtn





























































