Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se beson që lideri rus, Vladimir Putin është duke kërkuar t’i japë fund luftës që ka nisur në Ukrainë dhe se “një hap i rëndësishëm” do të bëhet.
Ai ka thënë se i është krijuar një përshtypje, nga bisedat me Putinin, se ai dëshiron “ta përfundojë këtë gjë sa më shpejt që është e mundur”.
Ukraina ka rikthyer një pjesë të mirë të territorit këtë muaj.
Lideri turk ka dhënë shenja se gjërat janë “goxha problematike” për Rusinë.
Erdogan ka thënë se ka pasur “diskutime shumë të gjera”, me Putinin në një samit të mbajtur në Uzbekistan javën e kaluar.
Në një intervistë për transmetuesin amerikan, PBS, lideri turk ka thënë se i është kryer përshtypja që presidenti rus dëshiron një fund të shpejtë të luftës.
“Ai në fakt është duke më treguar se ka gatishmëri për t’i dhënë fund luftës sa më shpejt që është e mundur”, ka thënë Erdogan.
“Kjo ka qenë përshtypja ime, sepse mënyra si po ecin gjërat është goxha problematike”.
Ai ka thënë se “200 pengje” do të këmbehen shpejt mes dy palëve.
Megjithatë, nuk ka dhënë detaje tjera për këtë gjë.
Presidentët e Rusisë dhe Turqisë zhvilluan bisedime në margjinat e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO) në Samarkand, Uzbekistan të premten e kaluar. Putin tha pas bisedimeve se Erdogan nuk kishte sugjeruar organizimin e negociatave me udhëheqësin ukrainas Vladimir Zelensky. Presidenti turk po jep një kontribut serioz në përpjekjet e normalizimit, duke përfshirë lëvizjet për zgjidhjen e krizës ushqimore, theksoi Putin.
Më 24 shkurt, Putin tha në një fjalim televiziv se në përgjigje të një kërkese të krerëve të republikave të Donbasit ai kishte marrë një vendim për të kryer një operacion të posaçëm ushtarak. Pas kësaj, SHBA, BE, Britania e Madhe dhe një numër vendesh të tjera njoftuan sanksione gjithëpërfshirëse kundër Rusisë. Përveç kësaj, Perëndimi shtoi dërgesat e armëve në vlerë miliarda dollarë në Kiev.