Nga Nertil JOLE
Mbrëmë nuk më mjaftoi ta sodisja hënën e plotë. Ndjeva dëshirën ta fiksoja edhe në një fotografi me celularin tim.
Hëna e plotë nuk është vetëm një pamje mbresëlënëse në qiell. Ajo ka një shpjegim shkencor, por mbart edhe një simbolikë të pasur kulturore e shpirtërore.
Në aspektin shkencor, hëna e plotë ndodh kur Toka ndodhet midis saj dhe Diellit, duke bërë që ana e Hënës që shohim të jetë plotësisht e ndriçuar nga Dielli. Ky fenomen përsëritet çdo 29.5 ditë.
Në aspektin kulturor, hëna e plotë ka marrë ndër shekuj kuptime dhe simbolika nga më të ndryshmet, sipas traditave e besimeve.
Për disa, hëna e plotë është thjesht një fenomen astronomik që me ndriçimin e saj ngjan me një “abazhur hapësinor”.
Për besime të ndryshme, hëna e plotë është një kohë reflektimi, pastrimi shpirtëror dhe ripërtëritje e energjisë, për të parë më qartë të vërtetën, për të lënë pas atë që nuk të shërben më dhe për të qenë mirënjohës për atë që ke arritur.
Vetë hëna nuk është burim drite, por e pasqyron atë. Ndaj ashtu si çdo pasqyrë, edhe ajo na fton të shohim veten.
Për disa, kjo nuk është gjithmonë e lehtë, sidomos në “pasqyrat” e kohëve të fundit.
Unë po e sjell këtë fotografi si një metaforë që nxit për të reflektuar mbi zhvillimet që po kalon Shqipëria, mbi ciklet që mbyllen dhe ato që do të hapen.
Për mua, simbolika më e bukur e hënës së plotë është triumfi i shëndetit mbi sëmundjen, i dashurisë mbi urrejtjen, i së drejtës mbi padrejtësinë, i dritës mbi errësirën, i empatisë mbi xhelozinë, i mirësisë mbi intrigën, i kreativitetit mbi stagnimin, i guximit mbi frikën dhe i së bukurës mbi mungesën e saj.
Por, mbi të gjitha, është bindja se e ardhmja do të jetë veprim mbi mësimet që nxjerrim nga koha që lemë pas.
© 2026 Argumentum





























































