Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, njoftoi se është infektuar me koronavirus. Përmes një postimi në rrjetet sociale ai iu ka bërë thirrje qytetarëve për kujdes maksimal, ndërsa theksoi se “përveç një plogështie, nuk vërej ndonjë shqetësim tjetër shëndetësor. Anëtarët e tjerë të familjes nuk janë të prekur. Ditët në vijim to të jem i izoluar”.
Edhe një numër deputetësh të parlamentit të Kosovës janë prekur nga koronavirusi në një periudhë kur vendi po vazhdon të përballet me shtim të numrit të të infektuarve dhe rritje të numrit të viktimave.
Mbrëmë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike tha deri tani numri i viktimave që nga fillimi i pandemisë arriti në 94, dhe vetëm në 24 orët e fundit tetë persona humbën jetën, ndërsa 207 nga 401 të testuar dolën se janë të infektuar.
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj tha sot se përkeqësimi i situatës rëndon sistemin shëndetësor të vendit.
“Për këtë arsye po bëjmë thirrje, ju lutem mbajini distancën, mbajeni higjienën, mbani maskat që ta ruajmë edhe personelin shëndetësor edhe ashtu sistemi është ngarkuar këto ditë në klinikat tona edhe në spitale rajonale, nëse na rrezikohen edhe profesionistët shëndetësorë atëherë do të jetë një problematikë e madhe”, tha ai.
Zoti Zemaj kërkoi respektim të masave në mënyrë që të shmangen masat ndëshkuese.