Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se shpërndarja e Kuvendit ka pamundësuar mbajtjen e një seance të planifikuar për pasditen e së premtes, në të cilën pritej të ratifikoheshin disa marrëveshje ndërkombëtare.
Sipas tij, seanca ishte paraparë të mbahej në orën 14:00 dhe kishte për qëllim miratimin e projekteve që lidhen me zhvillimin ekonomik dhe energjetik të vendit.
“Në orën 14:00 ishte planifikuar që Kuvendi të mbante edhe një seancë, në të cilën do të ratifikoheshin disa marrëveshje ndërkombëtare në të mirë të vendit”, tha Kurti, gjatë konferencës për media.
Kurti tha se ndër marrëveshjet që pritej të shqyrtoheshin ishte një me Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në vlerë prej 50 milionë eurosh për efiçiencë të energjisë, si dhe një tjetër marrëveshje me të njëjtin institucion në vlerë prej 25 milionë eurosh. Po ashtu, ishte planifikuar ratifikimi i një marrëveshjeje me Banka Evropiane për Investime (BEI) në vlerë prej 33 milionë eurosh për rritjen e kapaciteteve energjetike.
Sipas tij, në rend dite ishte edhe një marrëveshje me Fondi Saudit për Zhvillim për financimin e projektit të shtrimit të rrugës Prishtinë – Mitrovicë e Jugut.
“Pra, bëhej fjalë për marrëveshje ndërkombëtare në vlerë rreth 121 milionë euro, të dedikuara për projekte të rëndësishme jetike për qytetarët tanë. Me shpërndarjen e Kuvendit, pamundësohet realizimi i këtyre projekteve dhe përfitimi i 121 milionë eurove për qytetarët e Kosovës”, shtoi ai.




























































