"Maqedonia 2025"/Bërnabiç: Maqedonia e Veriut një nga partnerët tanë më të afërt dhe më të mirë ekonomik dhe politik

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, së bashku me kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiç, sot kanë marrë pjesë në Samitin “Maqedonia 2025”, temë kryesore e të cilit ishte bashkëpunimi rajonal.

Në konferencën e përbashkët për media pas pjesës hyrëse të samitit, kryeministrat e dy vendeve theksuan rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, ndërsa shprehën kënaqësinë për rritjen e shkëmbimit tregtar midis dy vendeve.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, tha se për vendin e saj, Maqedonia e Veriut është një nga partnerët më të afërt dhe më të mirë ekonomik dhe politik.

Ajo tha se bashkëpunimi dhe komunikimi me Maqedoninë e Veriut zhvillohet në baza ditore, duke shtuar se Serbia i jep mbështetje të plotë integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.

“Kam kënaqësi të them se vitin e kaluar, në vitin 2021, më në fund e kemi tejkaluar atë nivel prej një miliard eurosh në shkëmbimin e ndërsjellë tregtar, kemi tejkaluar një miliard e njëqind milionë euro. Republika e Serbisë është partneri i tretë më i rëndësishëm për Maqedoninë e Veriut pas Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe. Për ne, Maqedonia e Veriut është në top 10 partnerët më të rëndësishëm”, tha Bërnabiç.

Kryeministri Kovaçevski tha se marrëdhëniet me Serbinë janë në nivel jashtëzakonisht të lartë në të gjitha fushat. Ai gjithashtu përshëndeti rritjen e shkëmbimit tregtar, duke shtuar se vitin e kaluar, Maqedonia e Veriut ka rritur eksportet në Serbi për 40 për qind.

“Kjo ndodh për shkak të marrëdhënieve jashtëzakonisht të mira politike, por edhe të bashkëpunimit rajonal, veçanërisht i theksuar përmes iniciativës Ballkani i Hapur (Open Balkan) në të cilën tashmë marrin pjesë edhe vendi ynë, Republika e Serbisë dhe Republika e Shqipërisë”, tha Kovaçevski.

Më herët, kryeministri Kovaçevski në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut priti kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiç, ku zhvilluan një takim dypalësh.