Zv/kryeministri Italian Antonio Tajani ka nisur sot vizitën zyrtare në Shqipëri duke u ndalur në Portin e Shëngjinit, ku edhe është parashikuar që të ngrihet qendra për pritejen e refugjatëve. Në takimin pa praninë e mediave, Tajani është njohur nga afër me projektin dhe më pas është larguar.
Në orët e paradites, Tajani u takua me ministrin e Jashtëm Igli Hasani dhe më pas me kryeministrin Edi Rama.
Kryeministri Edi Rama priti sot në takim ministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, Antonio Tajani.
Rama dha lajmin e mirë se është gati firmosja e Marrëveshjes së shumëpritur të Pensioneve të shqiptarëve në Itali.
“Me Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, Antonio Tajani. Dhe me lajmin e mirë se më në fuuuund jemi gati për firmosjen e Marrëveshjes së shumëpritur të Pensioneve të shqiptarëve në Itali”, shkroi Rama në rrjetet sociale.
Në takim morën pjesë dhe ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali dhe Kryenegociatorja dhe ministre e Shtetit, Majlinda Dhuka.
Në një reagim në rrjetet sociale pas takimit ministrja Spiropali u shpreh krenare për miqësinë mes Shqipërisë dhe Italisë dhe për bashkëpunimin e shkëlqyer në të gjitha fushat.