Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ka bërë publik një njoftim zyrtar pas incidentit global që goditi platformën ndërkombëtare “Cloudflare” më datë 18 nëntor 2025, duke shkaktuar ndërprerje të gjerë të shërbimeve në mbarë botën.
Sipas deklaratës së AKSK, e cila i referohet raportimit zyrtar të vetë kompanisë Cloudflare, “incidenti filloi rreth orës 12:48 dhe u shkaktua nga një problem i brendshëm që ndikoi drejtpërdrejt në disponueshmërinë e shërbimeve, përfshirë rrjetin global të Edge, API-të dhe disa komponentë të tjerë kritikë të platformës.”
Ndikimi është ndier edhe në Shqipëri, ku “disa institucione dhe sektorë patën vështirësi në aksesimin e faqeve dhe shërbimeve digjitale”, thuhet më tej në njoftim.
Cloudflare ka raportuar se rreth orës 15:42 situata ka nisur normalizimin dhe se ndërprerja ka qenë e përkohshme. Kompania është duke rikthyer të gjitha shërbimet në funksion të plotë.
Në deklaratën e saj, AKSK bën thirrje për rritje të kujdesit nga përdoruesit e shërbimeve Cloudflare:
“Rekomandohet rritje e vigjilencës për përdoruesit që kanë shërbime në këtë platformë, si dhe kryerje e kontrollit të vazhdueshëm për disponueshmërinë e tyre. Gjithashtu, rekomandohet identifikimi i shërbimeve të prekura për ndonjë problematikë pas ndërprerjes,” thuhet në njoftim.
Autoriteti sugjeron gjithashtu marrjen e masave që sigurojnë funksionimin bazë të sistemeve edhe në rast të mosdisponueshmërisë së Cloudflare, për të ulur rrezikun në situata të ngjashme.
Në fund të deklaratës, AKSK thekson se “mbetet i angazhuar për të garantuar sigurinë e infrastrukturave të informacionit në vend dhe për të informuar publikun në kohë reale mbi çdo rrezik të mundshëm.”
Në vijim pritet një raport më i detajuar nga Cloudflare mbi shkaqet teknike të incidentit dhe masat parandaluese që do të ndërmerren.
/Argumentum.al




























































