REAL POLITIK NR. 123
17 – 31 MARS 2026
Komente “ flash” mbi 3 ngjarjet kryesore diplomatike, shkurt dhe shqip, vetëm me 1000 fjalë nga analisti i njohur, Mjeshtër i Madh në Diplomaci
DR. JORGJI KOTE
1.Në BE më 2027 apo 2037?! Ashtu siç kishim paralajmëruar dy javë më parë, Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE-së në Takimin e datës 17 Mars nuk u muar me mbylljen e grupkapitullit të parë të çelur qysh në tetor 2024. Sepse disa vende si Gjermania, Suedia dhe Holanda kanë rezerva sidomos mbas mosmiratimit nga Kuvendi më 12 Mars të kërkesës së SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut. Madje nuk ka as ndonjë një afat se kur mund të ndodhë kjo, edhe pse nga 24 muaj që kemi në dispozicion, tre muajt e parë kaluan pa asgjë në torbë. Mirëpo, kur nuk dihet ende se kur mund të mbyllim ndonjë nga 6 grupkapitujt, madje as më të lehtin, kur edhe për çeljen e tyre rekord na u deshën 16 muaj, dyshimi i madh është se si mund t’i përfundojmë ato brenda vetëm 20 muajve të mbetur. Gjithsesi, urojmë ta mbyllim brenda këtij gjashtëmujori grupkapitullin e parë dhe të mos kemi më asnjë shtyrje tjetër; ndryshe do të na ikë ” treni” për në BE 2030 e do të duhet të presim trenin BE 2040!
2. Dështon edhe gjysëm anëtarësimi! Kështu mund të thuhet për idenë e hedhur nga dyshja Rama – Vuçiç në editorialin e tyre të më 28 Shkurt te gjermanja “Frankfurter Allgemeine Zeitung“. Një ide pa asnjë jehonë europiane, që nuk e zuri njeri në gojë as në Takimin e Ministrave të Jashtëm dhe të Këshillit të BE-së më 16 – 17 dhe më 20 Mars. Madje, ka patur kundërshtime publike nga liderët gjermanë dhe nga Komisionerja, Marta Kos. Edhe pse njihet si shumë e afërt me të dy kryeministrat ajo u prononcua qartë edhe pse me gjuhë të butë diplomatike se Rama dhe Vuçiç nuk e dijnë ende se hyrja në tregun e përbashkët europian dhe në zonën Shengen kërkon detyrimisht meritat dhe reformat e anëtarësimit të plotë; se hyrja në BE nuk është vetëm çështje tregtare, teknike dhe ekonomike por mbi të gjitha politike. Kësisoj, i bie më mirë të shtojmë përpjekjet për një anëtarësim të plotë dhe jo gjysmak; ndryshe as ky i fundit nuk ka shans. Sepse gjeopolitika vërtet na ndihmon, por githsesi vendimtare mbeten reformat tona madhore, lufta kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë së zyrtarëve më të lartë. Mirëpo, kur këtë gjysëm anëtarësim e pritën me këmbët e para Gjermania dhe Komisioni Europian, ai nuk është alternativë por “hallvë e ftohtë“ Mirëpo, edhe në mbledhjen më 30 Mars kushtuar integrimit, Kryeministri Rama foli për blegtorinë dhe ushqimin, pra ” haneshan, hane Bagdad”!

3. Pa strategji dalje! Një muaj pas sulmit ushtarak të SHBA-ve dhe Izraelit kundër Iranit shpresat për një përfundim dhe fitore të shpejtë rezultuan iluzion. Siç pohoi ditët e fundit edhe ish Ministri amerikan i Mbrojtjes, Leon Paletta, “ lufta dhe fitorja blitz dështoi”. Kjo ndodhi mbasi pavarësisht rezultateve të bujshme ushtarake të njohura, siç u shpreh më 25 Mars Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, Administrata e Presidentit Trump ndërhyri ushtarakisht kundër Iranit pa plan, pa qëllim, pa objektiva të qarta, pa konsultime me europianët dhe pa një strategji dalje nga Irani. Sa për disa objektiva ushtarake madhore të realizuara, siç tregon përvoja e mëparshme, ato nuk mjaftojnë për një fitore politike të “ përkthyer” në paqe, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm në një rajon shpërthyes me ndikime të mëdha për sigurinë dhe ekonominë botërore.
Së pari, Presidenti Trump nuk i pyeti dhe as u mori mendimin partnerëve europianë, diçka e paprecedentë, duke shkaktuar krisje dhe ndasi të reja me ta. Ai nuk e parashikoi, madje e nënvleftësoi reagimin dhe rrezistencën nga Irani. Gabimi tjetër amerikan ishte se sulmin ushtarak e menduan si një betejë klasike ushtarake, që do të fitohej lehtë, shpejt dhe pa kosto. Mirëpo, Trump i mësuar me spektakle dhe telerealitete nuk e ka kuptuar realitetin e brendshëm, tejet kompleks dhe të ndërlikuar në Iran dhe në rajon; për pasojë, nuk u dhanë përgjigje gjithë përfshirëse pyetjeve madhore gjeopolitike “ po pastaj çdo të ndodhë?
Amerikanët gabuan edhe kur menduan se duke vrarë Kamenein dhe mbi 200 liderë të tjerë do ta detyronin Teheranin të dorëzohej, duke nënvleftësuar faktin se gjatë 47 viteve të saj ajo ka krijuar një autoritet shtetëror shumështresor, që të funksionojë edhe në kushtet më të vështira, siç edhe po ndodh.
Gabimi tjetër, ndoshta më i madh amerikan është se e nënvleftësuan rëndësinë strategjike të Ngushticës së Hormuzit dhe bllokimin e saj nga Irani; edhe pse të dhënat dhe sugjerimet nga sektorët përkatës nuk munguan, por u injoruan. Tani Hormuzi do të vendosë fatin e kësaj lufte, i të ardhmes në rajon e në botë, por me pasoja të mëdha politike që në fakt po ndihen qysh tani edhe në Uashington.

Tani Presidenti Trump përballet me tri sfida të mëdha dhe serioze edhe për fatin e tij politik. Së pari, me rritjen e ndjeshme të papëlqyeshmërisë ndaj tij; mbi 60 për qind e amerikanëve nuk janë të kënaqur me performancën e tij, sidomos në fushën jetike të ekonomisë. Kjo duket në rënien e ndjeshme nga muaji shkurt e deri tani të treguesve të simpatisë për Trump lidhur me rritjen e inflacionit dhe të çmimeve, sidomos të benzinës dhe përëndrimin shumë më të madh në politikën e jashtme dhe në luftra.
Kjo rënie e pëlqyeshmërisë ndaj tij po ndodh edhe brenda bazës së Lëvizjes së tij “Ta bëjmë Amerikën prapë të madhe“ ( MAGA), me pakënaqësira dhe përplasje të hapta dhe të fheshura, duke filluar nga zëvendësi i tij J.D. Vance e të tjerë. Kur vetëm 7 muaj i ndajnë nga zgjedhjet e mesmandatit për Kongresin amerikan. Mirëpo, sipas Jesse Kelly, moderator konservator i radios amerikane “ nëse këto shifra do të vazhdojnë të jenë në nivelet e tanishme, atëhere në ato zgjedhje ne do të na masakrojnë”!
Ndaj, rezultatet e këtij mesmandati jetik zgjedhor përbëjnë shqetësimin e tretë madhor për Presidentin Trump, ku ndërhyrja amerikane në Teheran do të jetë përcaktuese për mbijetesën e tij dhe politikën në Uashington.
Mirëpo, të tri alternativat e mbetura, pushtimi i Ishullit Kharg dhe dy ishujve të tjerë strategjikë që e çojnë në faliment Iranin, futja e mijra trupave tokësorë për çlirimin e Hormuzit dhe brenda Iranit, nëse ato dështojnë ose lufta zgjatet janë me pasoja të paparashikuara për SHBA-të, gjendjen në rajon dhe mund të çojnë në një krizë të re shumë më të rëndë në ekonominë botërore.
© 2026 Argumentum



























































