Osmani: Ballkani Perëndimor është pjesë e pazëvendësueshme e sigurisë në Evropë

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani mori pjesë në takimin e rregullt të Këshillit Veriatlantik në nivel të ministrave të Punëve të Jashtme që u mbajt në selinë e NATO-s në Bruksel.

Temë boshte e takimeve ka qenë situata aktuale e sigurisë e shkaktuar nga invazioni ushtarak rus në Ukrainë si dhe masat dhe aktivitetet që Aleanca i ndërmerr për të garantuar sigurinë e të gjitha vendeve anëtare të NATO-s.

Njëherësh u bë fjalë edhe për Konceptin e ri strategjik që duhet t’i përgjigjet realitetit të ri gjeopolitik dhe të parashtrojë vizion strategjik për Aleancën.

Në një seancë të veçantë në të cilën morën pjesë edhe ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve partnere si dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borel u diskutua për marrëdhëniet e NATO-s me partnerët dhe mënyrën për avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit dhe mbështetjen e Aleancës, për të përforcuar rezistencën e tyre.

Me këtë rast, siç theksohet në kumtesë, ministri Osmani e dënoi ashpër agresionin rus ndaj Ukrainës, veçanërisht vrasjet e tmerrshme ndaj popullatës civile dhe bëri thirrje për ndërprerje të menjëhershme të zjarrit, me çka e riafirmoi solidaritetin tonë me Ukrainën. Njëherësh, e theksoi domosdoshmërinë për të përforcuar më tej praninë e NATO-s në Ballkanin Perëndimor, si rajon që është subjekt i ndikimit nga vendet e treta.

“Ballkani Perëndimor është pjesë e pazëvendësueshme e strukturës së ardhshme të sigurisë në Evropë. Prandaj, integrimi euroatlantik edhe evropian i Ballkanit Perëndimor është çështje e sigurisë dhe mjet për forcimin e stabilitetit. Prandaj përçojmë mesazh të qartë për fillimin sa më të shpejtë të negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, që është thelbësore për ruajtjen e sigurisë rajonale dhe evropiane”, theksoi Osmani.

Ndryshe në kuadër të kësaj, Osmani realizoi takim bilateral me homologët e tij nga Finlanda dhe Sllovakia./Zhurnal.mk