Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ndodhet sot në Sofje për një vizitë zyrtare me ftesë të Presidentit të Republikës së Bullgarisë, Rumen Radev.
Presidenti Begaj u prit nga homologu bullgar dhe më pas u zhvillua një takim kokë më kokë mes kryetarëve të dy shteteve.
Më pas u mbajt takimi i delegacioneve përkatëse, teksa pritet edhe konferenca e përbashkët për shtyp të Presidentit Begaj me Presidentin Radev.
Marrëdhëniet dypalëshe, roli i Shqipërisë dhe i Bullgarisë në rajon dhe me gjerë si pjesë e NATO-s dhe i organizmave të tjerë ndërkombëtare e rajonale si dhe bashkëpunimi në kuadër të Bashkimit Evropian do te jenë në fokus të bisedës se Presidentit të Shqipërisë dhe homologut të tij bullgar.

Presidenti Begaj deklaroi sot se, Ballkani Perëndimor është investim strategjik për BE-në.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me presidentin bullgar, Rumen Radev në Sofje, Begaj u shpreh se, “kjo vizitë demonstron qartë marrëdhëniet shumë të mira e miqësore Shqipëri-Bullgari”.
“Shqipëria ka vullnet dhe interes për të thelluar bashkëpunimin dypalësh dhe atë për integrimin në BE”, tha Begaj.
Ai shtoi se, mbështetja e minoriteteve respektive është në interesin tonë të përbashkët
Begaj nënvizoi gjithashtu nevojën për një bashkëpunim më të ngushtë ekonomik dhe rritje të shkëmbimeve tregtare
“Janë të gjitha kushtet, kuadri ligjor dhe klima e favorshme e biznesit që ky bashkëpunim të fuqizohet”, theksoi Begaj.
Kreu i Shtetit theksoi se, “sesioni i ardhshëm i Komisionit të Përbashkët Ekonomik do t’i adresojë me kujdes mundësitë për të vënë në lëvizje mekanizmat”.

Begaj i shprehu mirënjohje Bullgarisë për lobimin e përfshirjes së Korridorit 8 në Rrjetin e Transportit Transevropian.
“Kemi të njëjtën qasje me Bullgarinë: Ballkani Perëndimor është investim strategjik për BE-në, procesi i zgjerimit të vijojë. Besoj se Bullgaria do të vijojë mbështetjen edhe përgjatë gjithë procesit të negociatave me BE-në”, tha Begaj.
Begaj vlerësoi Bullgarinë për mbështetjen ndaj Kosovës në përpjekjen për anëtarësim në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare.
“Bashkëpunimi në kuadër të mbrojtjes dhe sigurisë është i konsoliduar në kuadër të NATO-s”, tha Begaj.
/Argumentum.al




























































