Presidenti Joe Biden e quajti të mërkurën Presidentin rus Vladimir Putin një kriminel lufte ndërsa mizoritë në Ukrainë po shtohen dhe mes thirrje të presidentit ukrainas drejtuar Kongresit amerikan, për më shumë ndihmë.
“Ai është një kriminel lufte“, tha presidenti amerikan për zotin Putin teksa largohej një aktivitet në axhendën e tij për sot. Kjo është deklarata më e ashpër lidhur me veprimet e Presidentit Putin dhe Rusisë bërë nga një zyrtar amerikan, që nga nisja e sulmit ndaj Ukrainës.
Ndërsa udhëheqësit e tjerë botërorë e kanë përdorur këtë fjalë, Shtëpia e Bardhë kishte hezituar t’i shpallë veprimet e zotit Putin ato të një krimineli lufte, duke thënë se ishte një term ligjor që kërkonte më shumë hetim.
Kremlini ka reaguar menjëherë pas komentit të presidentit amerikan Joe Biden, i cili për herë të parë i është drejtuar homologut të tij rus si ‘kriminel lufte’.
Sipas agjencisë së lajmeve TASS, Kremlini ka thënë se komentet janë ‘retorikë e papranueshme dhe të pafalshme’.
Gjatë një konference për shtyp të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë, Biden u shpreh “Unë mendoj se ai është kriminel lufte”.
Sekretarja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, shpjegoi se fjalët e presidentit buruan ‘nga zemra dhe nga ato çfarë ka parë në televizor’, duke i përshkruar si ‘aktet barbare të një diktatori të dhunshëm përmes pushtimit të një vendi të huaj’.
Ajo shtoi se Departamenti amerikan i Shtetit ka ndërmarrë një proces ligjor për të hetuar pretendimet për krime lufte.



























































