Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli, deklaroi në Tiranë se shqiptarët duhen mbështetur në rrugën drejt BE-së dhe meritojnë përgëzime për hapat, që kanë ndërmarrë dhe besimin e madh që kanë të BE-ja.
Zoti Sassoli i bëri këto komente në një konferencë të përbashkët shtypi me kryeministrin Edi Rama në Shqipëri, mes të cilave deklaroi se kur BE-ja i tha “Jo” Tiranës për hapjen e negociatave pati shumë zhgënjim.
Megjithatë shtoi se pavarësisht zhgënjimit, të gjithë duhet të punojnë për të vijuar rrugën drejt integrimit të vendit në BE.
“Ndodhi një ngadalësim në fundit të vitit, por procesi i anëtarësimit duhet të fillojë, dhe për këtë janë të bindur Parlamenti dhe Komisioni Europian” – tha zoti Sassoli.
Ai tha se lufta ndaj krimit, bllokimi i pasurive të krimit janë nisma të domosdoshme. Dialogu është rifilluar brenda afateve të shkurtra dhe të gjithë jemi dëshmitarë për zhgënjimin që pati shoqëria shqiptare ashtu si edhe ne, por kjo duhet ta kapërcejmë këtë, tha ai.
“Duhen të binden të gjithë se rruga e integrimit duhet bërë patjetër së bashku, sepse kemi një fat të përbashkët dhe duhet të përshtatemi” – tha zoti Sassoli.
Ai theksoi se BE tregoi gatishmërinë e për të ndihmuar Shqipërinë dhe me ndihmat për rindërtimin pas tërmetit dhe për të ardhmen. Ai tha se Shqipëria është një vend i rëndësishëm i Ballkanit Perëndimor.
“Dy janë sfidat e përbashkëta: Europa ka një synim ambicioz – procesin e anëtarësimit, dhe së dyti është tema e solidaritetit dhe sigurisë. Për të dyja këto fusha do të punohet shumë, sepse janë shoqëritë që po u kërkojnë institucioneve nisma dhe përkushtim” – tha Sassoli.
Ndërsa kryeministri Edi Rama tha në konferencën e shtypit se diskutoi me zotin Sassoli procesin e integrimit, datat e reja, si dhe për ligjin Anti-KÇK.
“Vizita e Presidentit Sassoli sot përkoi me operacionin e parë në terren të forcës së ligjit, që besoj shumë do të përçojë një mesazh të qartë me fakte e jo me fjalë mbi sa seriozë e të vendosur jemi për të ndryshuar rrënjësisht këtë vend” – tha zoti Rama.
Zoti Sassoli mbajti një fjalim në parlamentin shqiptar, ku bëri thirrje të vazhdojë me këmbëngulje puna për integrimin europian dhe zhvillimin e vendit.
Presidenti i Parlamentit David Sassoli nisi sot një vizitë dy ditore në Shqipëri, për të dhënë një sinjal mbështetje ndaj vendit në rrugën e tij të integrimit europian, siç u shpreh ai në një mesazh video në Twitter.
“Parlamenti Europian, Komisioni Europian dhe shumica e vendeve anëtare janë në favor të hapjes së bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Nuk do të dorëzohemi. Ne do të vazhdojmë të shtyjmë për një votë pozitive”, deklaroi sot ai përmes mesazhit përpara nisjes së vizitës.
Ai pati dhe një thirrje drejtuar të rinjve shqiptarë. “Mos humbsni shpresën. Ne duam që ju të bëheni pjesë e Bashkimit europian. Së bashku mund t’a bëjmë këtë realitet. Duhet të jemi shpresëplotë dhe të vazhdojmë përgjatë rrugës që keni nisur”.
Që në Tetor të vitit të shkuar kur Këshilli Europian nuk arriti një konsensus për t’i hapur rrugë nisjes së bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ai publikisht u shpreh i zhgënjyer. “Unë dua të riafirmoj mbështetjen e fortë të Parlamentit Evropian për hapjen e bisedimeve të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Të dy vendet kanë bërë përparim të madh, në përputhje me pritjet tona. Fillimi i negociatave mund të jetë një shtytës e fortë për reformat që janë ende të nevojshme në rrugën e pranimit në BE. Ne do të bëjmë çmos gjithashtu për të bindur shtetet anëtare që ende kishin rezerva në mbledhjen e fundit të Këshillit”, u shpreh pak ditë më parë presidenti i Parlamentit europian në një deklaratë me anë të së cilës njoftoi vizitën e sotme.
“Zhgënjimi për mos marrjen e një vendimi nga ana e Këshillit, duhet të përkthehet në energji të ripërtëritur dhe nisma të ardhshme. Inkurajoj Shqipërinë të përqëndrohet në objektivin e përgjithshëm dhe të përdor këtë kohë për të adresuar çdo shqetësim që është ngritur, veçanërisht në lidhje me respektimin e shtetit të së drejtës dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Këto reforma janë përfundimisht për më të mirët e vendi dhe brezave të ardhshëm. Edhe nëse rruga është e vështirë herë pas here, çdo hap na afron në një të ardhme të përbashkët evropiane, e cila do të pasurojë si Shqipërinë ashtu edhe BE-në ”.
Presidenti Sassoli deklaroi gjithashtu se “po shkoj në Shqipëri për të inkurajuar dhe dhënë shpresë për të ardhmen, pas disa muajve të vështirë për vendin”. Ndërsa shprehte ngushëllimet për familjet që humbën të dashurit e tyre, ai flet dhe për konferencën e ardhshme të donatorëve e arashikua të mbahet më 17 shkurt në Bruksel.
“Ndërsa paraja nuk mund të zhbëjë vuajtjet, është shumë e nevojshme të rindërtohen shtëpitë dhe infrastruktura. Unë kam besim te bujaria e pjesëmarrësve në konferencën ndërkombëtare të donatorëve”, theksoi ai.