Shenzhen, Kinë — Në hollin koncertor të qytetit, u çel pak ditë më parë edicioni i radhës i Festivalit Ndërkombëtar Muzikor “Belt and Road”, një aktivitet që bashkon artistë nga e gjithë bota, nën gjuhën universale të muzikës.
Saimir Pirgu, ndër tenorët lirikë më të shquar të kohës moderne, i vlerësuar për aftësitë e tij të jashtëzakonshme vokale dhe mjeshtërinë aktoriale, për herë të parë performoi në Shenzhen, duke sjellë për publikun kinez një interpretim plot emocion. I shoqëruar nga një orkestër prestigjioze kineze, Pirgu u prit me duartrokitje të gjata dhe vlerësime të ngrohta.
I ndjeshëm, i përulur dhe i përkushtuar ndaj artit të tij, ai vjen në Shenzhen jo vetëm si tenor shqiptar me famë botërore, por si një njeri që beson në fuqinë bashkuese të muzikës.
Pas koncertit, ai ndau në një intervistë eksluzive për CMG përshtypjet e kësaj eksperience të veçantë: nga emocionet e para në qytetin jugor të Kinës, tek bashkëpunimi frytdhënës me muzikantët vendas dhe rëndësia e një festivali të tillë për ndërlidhjen kulturore mes vendeve.






























































