Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, u takua të mërkurën (25 qershor 2026) me Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në Uashington D.C., për të diskutuar përgatitjet për Samitin e NATO-s që do të mbahet në Ankara në muajin korrik.
Në Shtëpinë e Bardhë, Rutte falënderoi Presidentin Trump për rolin e tij udhëheqës, duke deklaruar se: “Evropa dhe Kanadaja tashmë janë në rrugën e barazimit të shpenzimeve të tyre për mbrojtjen me ato të Shteteve të Bashkuara. Ky ishte një problem që nga koha e Eisenhower-it – ky President e zgjidhi.”
Sekretari i Përgjithshëm theksoi gjithashtu se aleatët evropianë dhe Kanadaja po rrisin ndjeshëm kontributin e tyre në mbrojtje. Sipas tij, “Evropianët dhe kanadezët po shpenzojnë pothuajse 20% më shumë për mbrojtjen në vitin 2025 krahasuar me një vit më parë.”
Në Zyrën Ovale, Rutte paraqiti grafikë që tregonin se aleatët evropianë dhe Kanadaja kanë shtuar mbi 1 trilion dollarë amerikanë në shpenzimet bazë të mbrojtjes që nga viti 2016. Ai theksoi gjithashtu se industria evropiane e mbrojtjes mbështet mbi 83 mijë vende pune në Shtetet e Bashkuara.
Gjatë vizitës së tij, Rutte diskutoi edhe mbështetjen e NATO-s për Ukrainën dhe përpjekjet për arritjen e një paqeje të qëndrueshme. Ai u shpreh se:
“Ukraina po ecën shumë më mirë gjatë pesë apo gjashtë muajve të fundit sesa më parë, edhe falë gjithë ndihmës që po ofrojnë Shtetet e Bashkuara.”
Të enjten, Sekretari i Përgjithshëm u takua me anëtarë të Kongresit në Capitol Hill. Vizita u përmbyll me një fjalim dhe diskutim në Atlantic Council, ku ai paraqiti pritshmëritë për Samitin e ardhshëm të NATO-s në Ankara.
“Në Ankara do të tregojmë se po përmbushim angazhimet që morëm në Hagë vitin e kaluar: transformimin e investimeve në mbrojtje, revolucionin në industrinë e mbrojtjes dhe riafirmimin e mbështetjes sonë afatgjatë për Ukrainën,” deklaroi Rutte.
/Argumentum.al




























































