Shtetet e Bashkuara të Amerikës shpallën sot një paketë të re sanksionesh ndaj Iranit, duke vënë në shënjestër dy kompani të lidhura me Gardën Revolucionare Islamike (IRGC), të cilat, sipas Uashingtonit, u imponojnë anijeve tregtare pagesa sigurimi për kalimin nëpër Ngushticën e Hormuzit.
Departamenti amerikan i Thesarit bëri të ditur se Persian Gulf Marine Insurance Company dhe HormuzSafe Marine Services Authority pretendojnë se ofrojnë mbulim sigurimi për rreziqe të tilla si konfiskimi i anijeve. Megjithatë, sipas autoriteteve amerikane, këto rreziqe krijohen kryesisht nga veprimet e vetë Iranit, duke e kthyer këtë mekanizëm në një burim të ardhurash për strukturat e lidhura me IRGC-në.
Sipas Departamentit të Thesarit, të dyja kompanitë gjenerojnë fitime përmes këtyre skemave dhe pranojnë pagesa edhe në valuta digjitale, me qëllim shmangien e sanksioneve ndërkombëtare.
Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, deklaroi se Shtetet e Bashkuara nuk do të lejojnë Iranin të mbajë peng tregtinë globale apo të shfrytëzojë transportin detar ndërkombëtar për të financuar aktivitetet e Gardës Revolucionare, të cilat Uashingtoni i cilëson si terrorizëm, agresion dhe represion.
Në të njëjtën kohë, SHBA-ja vendosi masa ndëshkuese edhe ndaj anijeve të të ashtuquajturës “flotë në hije”, të përdorura për transportimin e miliona fuçive naftë bruto dhe produkteve të naftës iraniane. Departamenti i Thesarit identifikoi tetë kompani transporti detar që, sipas tij, kanë transportuar naftë iraniane, në kundërshtim me sanksionet, drejt Kinës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.
Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga pikat më strategjike dhe më të ndjeshme të tensioneve midis Uashingtonit dhe Teheranit. Përmes kësaj rruge detare kalon një pjesë e konsiderueshme e tregtisë botërore të naftës.
Irani pretendon autoritet mbi këtë korridor detar strategjik, ndërsa Shtetet e Bashkuara theksojnë se synojnë të garantojnë lirinë e lundrimit ndërkombëtar, të cilën, sipas tyre, e kanë cenuar veprimet iraniane gjatë përshkallëzimit të tensioneve mes dy vendeve.
© 2026 Argumentum



























































