Shefi i OKB-së Guterres bën thirrje evakuim nga Mariupol

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres tha të enjten se diskutimet intensive po vazhdonin për të mundësuar evakuimin e fabrikës së çelikut Azovstal në qytetin e rrethuar juglindor të Ukrainës, Mariupol.

Takimi i tij me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, pasoi bisedimet të martën me presidentin rus Vladimir Putin, i cili ra dakord “në parim” për përfshirjen e OKB-së dhe Komitetit Ndërkombëtar për Kryqin e Kuq në evakuimin e uzinës.

“Mariupol është një krizë brenda një krize. Mijëra civilë kanë nevojë për ndihmë për të shpëtuar jetën. Shumë janë të moshuar, në nevojë për kujdes mjekësor ose kanë lëvizshmëri të kufizuar,” u tha Guterres gazetarëve pas bisedimeve me presidentin ukrainas.

Ukraina është gati për bisedime urgjente për evakuimin e njerëzve nga Mariupol dhe shpreson se pjesëmarrja e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së në këtë mision do të ndihmojë, u tha Zelenskyy gazetarëve pas takimit.

“Ne shohim se pavarësisht fjalëve të Presidentit rus për gjoja ndërprerjen e armiqësive në Mariupol, territori i uzinës Azovstal është nën bombardime barbare nga ushtria ruse”, tha Zelenskyy.

Ai i bëri thirrje gjithashtu shefit të OKB-së që të bëjë përpjekje për të ndaluar “deportimin” e qytetarëve ukrainas në Rusi dhe për të kthyer ukrainasit nga Rusia.

Nga ana e tij, Guterres tha se po bën çmos për të shpëtuar njerëzit në Mariupol.

“Ne do të vazhdojmë të bëjmë thirrje për një armëpushim të plotë, si dhe për masa praktike të menjëhershme për të shpëtuar jetë dhe për të minimizuar vuajtjet njerëzore,” tha shefi i OKB-së.

Ai theksoi nevojën për korridore efektive humanitare nga Mariupol dhe ndërprerjen lokale të armiqësive.

/Argumentum.al