Vazhdojnë protestat në ditën e pestë në Shkup: “Nëse miratoni propozimin francez do të digjeni në ferr”

Në ditën e pestë të protestës në Shkup, mijëra qytetarë janë mbledhur të mërkurën para Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për të protestuar kundër propozimit francez, përmes të cilit synohet të tejkalohen dallimet mes Shkupit dhe Sofjes.

Protestuesit nën moton “Ultimatum. Jo, faleminderit”, kanë kërkuar që Qeveria të hedh poshtë propozimin francez duke brohoritur “Dorëheqje” dhe “Ikni tradhtarë”.

Nën brohoritjet “Nëse miratoni propozimin francez do të digjeni në ferr”, pankarta e vendosur nga protestuesit para Kuvendit të Maqedonisë së Veriut është djegur nga vet ata.

“Shikoni sa të shëmtuar janë, le të digjen”, thërrisnin demonstruesit dhe para Kuvendit dogjën fotografi nga paneli i deputetëve të LSDM-së. Ata i bënë thirrje mediave që t’i filmojnë në mënyrë që lëvizja e tyre të shihet si revoltë kundër propozimit francez.

Armë dhe sende të forta ndaj protestuesve

Një grup prej disa personash hodhën sende të forta ndaj protestuesve të cilët po lëviznin përmes urës “Goce Dellçev” në drejtim të Ministrisë së Punëve të Jashtme. U hodhën karrige, paleta druri… Në media u publikua një foto ku shiheshin persona me armë në dorë dhe një grup personash me shishe qelqi dhe sende të forta.

Skenat e dhunshme gjatë ditës i kanë dënuar presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski dhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Shkup, David Geer.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, sonte në një konferencë për media deklaroi se sonte u bë një montim klasik nga ana e Qeverisë.

Sipas tij, ai ose ndonjë qytetar i pafajshëm duhet të ishte vrarë. Ai thotë se kjo nuk ka të bëjë me intolerancën ndëretnike.

“Për një kohë të gjatë kam marrë informacione për eliminimin tim me urdhër të qeverisë. Sonte pamë të paktën dy persona me armë zjarri gati për ta bërë këtë. “Policia nuk u gjet askund,” tha Mickoski.

Ai tha se këtë skenar e ka paralajmëruar qeveria, përkatësisht ministri i Jashtëm, Bujar Osmani.

“Ju premtoj se nuk do ta harrojmë këtë foto”, tha Mickoski.

Mickoski bëri të ditur se nuk do të tërhiqen, por do të shkojnë deri në fund më masivisht. Protestat vazhdojnë nesër në orën 19:00.

Ndryshe partitë maqedonase në opozitë, VMRO DOMNE dhe Majta, kanë kundër propozimit francez pas siç thonë nëse i njëjti nuk pëson ndryshime rrezikon gjuhën dhe identitetin maqedonas.

Përderisa partia e Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe të gjitha partitë e tjera shqiptare në vend: Bashkimi Demokratik për Integrim, Lëvizja Besa dhe Alenca për Shqiptarët, mbrojnë qëndrimin se ky propozim garanton gjuhën dhe identitetin maqedonas, si dhe zhbllokon procesin e integrimeve.

/Argumentum.al