Vuçiç: Sanksionet kundër Rusisë do t'i kushtonin shtrenjtë Serbisë,

Detyra jonë është të veprojmë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, thotë kreu i shtetit serb

Vendosja e sanksioneve ndaj Rusisë do t’i kushtonte shtrenjtë Serbisë, tha të dielën Aleksandar Vuçiç, presidenti i vendit i cili kohët e fundit fitoi një mandat të dytë.

Në një deklaratë për TV Pink, Vuçiq tha se pikëpamjet e tij personale për konfliktin Rusi-Ukrainë ndryshojnë nga pikëpamja zyrtare e shtetit serb.

“Rusia ka mbështetur integritetin territorial të Serbisë që nga viti 2001. Pavarësisht nëse Serbia vendos sanksione ndaj Rusisë apo jo, kjo i kushton shtrenjtë Serbisë. Unë besoj se ne do të marrim gazin rus me një çmim më të përballueshëm në krahasim me vendet e tjera në Evropë,” shtoi ai.

Serbia, e cila është pothuajse tërësisht e varur nga gazi dhe nafta ruse, është kritikuar për shpalljen e neutralitetit në luftën e Rusisë ndaj Ukrainës dhe refuzimin e vendosjes së sanksioneve ndaj Moskës.

“Kjo luftë prek edhe Serbinë. Detyra jonë është të veprojmë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare publike dhe të respektojmë parimet,” tha ai.

Presidenti takoi më parë të dërguarin rus Aleksandar Bocan-Kharchenko dhe theksoi se Serbia, në rrugën e saj evropiane, do të vazhdojë të “ruajë miqësitë dhe partneritetet tradicionale me Rusinë dhe Kinën”.

Në takim u diskutua për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve Serbi-Rusi, përfshirë në fushën e energjisë, me shpresën se së shpejti do të fillojnë bisedimet për sasitë, çmimet dhe kushtet e tjera të furnizimit me gaz.

Në përgjigje të sanksioneve perëndimore, presidenti rus Vladimir Putin ka thënë se shitja e gazit për vendet “jomiqësore” duhet të paguhet në rubla.

Rusia i konsideron vendet që e kanë goditur atë me sanksione për “operacionin e saj special ushtarak” si jomiqësore. Lista përfshin SHBA-në, Britaninë e Madhe, vendet evropiane dhe disa nga aleatët e tyre aziatikë./Argumentum.al