Në prag të Festës së Pranverës, sekretari i përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës dhe president i vendit Xi Jinping u takua të mërkurën pasdite në Pallatin e Madh të Popullit në Pekin me përfaqësues të partive jokomuniste, organizatave popullore dhe personalitete pa parti, për të mirëpritur së bashku Vitin e Ri Kinez.
He Wei, në emër të përfaqësuesve të partive jokomuniste, organizatave popullore dhe personaliteteve pa parti, mbajti një fjalim. Ai tha se në vitin 2025, Komiteti Qendror i PKK-së, me shokun Xi Jinping në krye, udhëhoqi mbarë vendin për të përballuar sfida të shumta, duke përmbushur me sukses objektivat e Planit të 14-të Pesëvjeçar dhe duke arritur rezultate të reja të rëndësishme në zhvillimin e Partisë dhe të vendit. Në vitin e ri, partitë jokomuniste të vendit, Federata Mbarëkineze e Industrisë dhe Tregtisë dhe personalitet pa parti do të qëndrojnë më të bashkuara rreth Komitetit Qendror, do të fokusohen në hartimin dhe zbatimin e Planit të 15-të Pesëvjeçar dhe do të kontribuojnë aktivisht me propozime konkrete për përarimin e modernizimit të stilit kinez.
Në takim Xi Jinping-u mbajti një fjalim të rëndësishëm. Ai theksoi se viti 2025 është i jashtëzakonshëm. Përballë ndryshimeve të thella dhe komplekse në situatën e brendshme dhe ndërkombëtare, Komiteti Qendror i PKK-së bashkoi dhe udhëhoqi popullin kinez për të realizuar objektivat kryesore të zhvillimit ekonomik e shoqëror. U mbajt plenumi i katërt i Komitetit Qendror të 20-të të PKK-së, duke hartuar vizionin për Planin e 15-të Pesëvjeçar. U përkujtua 80-vjetori i Fitores së Luftës së Rezistencës të Popullit Kinez dhe Luftës Antifashiste Botërore, u vendos Dita e Rikthimit të Tajvanit, dhe u festuan 60-vjetori i themelimit të Rajonit Autonom të Xizang-ut dhe 70-vjetori i Rajonit Autonom të Xinjiang-Ujgurit. U zbatua me vendosmëri koncepti i ri i zhvillimit dhe u çua përpara zhvillimi me cilësi të lartë dhe thellimi i gjithanshëm i reformës. Ekonomia kineze përparoi mes presioneve, duke u orientuar drejt inovacionit dhe cilësisë më të lartë. U forcuan masat për mirëqenien e popullit, ndërtimin e demokracisë socialiste, shtetit ligjor, zhvillimit kulturor, mbrojtjes ekologjike dhe mbrojtjes kombëtare e ushtrisë, duke ruajtur qëndrueshmërinë e vendit. U propozua Nisma e Qeverisjes Globale dhe u promovua ndërtimi i një bashkësie me fate të përbashkëta të njerëzimit. Pas pesë vjetësh përpjekjesh të vazhdueshme, Plani i 14-të Pesëvjeçar u përmbyll me sukses, duke e çuar fuqinë ekonomike, shkencore, ushtarake dhe të gjithanshme të vendit në një nivel të ri.
Xi theksoi se në vitin e kaluar bashkëpunimi shumëpartiak arriti rezultate të frytshme. Partitë demokratike dhe personalitetet pa parti zbatuan vendimet e Komitetit Qendror dhe ofruan propozime të vlefshme për çështjet kyçe të zhvillimit ekonomik e shoqëror. Federata Mbarëkineze e Industrisë dhe Tregtisë kontribuoi në promovimin e “dy të shëndetshmeve” – zhvillimin e shëndetshëm të ekonomisë private dhe rritjen e shëndetshme të sipërmarrësve privatë. Ai shprehu falënderime të sinqerta në emër të Komitetit Qendror të PKK-së.
Më tej Xi vuri në dukje që viti 2026 shënon fillimin e Planit të 15-të Pesëvjeçar. Ai u bëri thirrje partive demokratike, Federatës Mbarëkineze të Industrisë dhe Tregtisë dhe personaliteteve pa parti të përmbushin me përgjegjësi detyrat e tyre. Së pari, ato duhet të forcojnë orientimin politik dhe të bashkojnë forcat për zhvillim. Së dyti, duhet të përqendrohen në përparësitë kombëtare dhe t’i shërbejnë interesit të përgjithshëm, duke kontribuuar në zhvillimin e Planit të 15-të Pesëvjeçar; duhet të forcojnë kërkimin dhe analizën, në mënyrë që t’i ofrojnë Komitetit Qendror sugjerime më praktike për vendimmarrje shkencore; dhe gjithashtu, duhet të organizojnë me seriozitet mbikëqyrjen demokratike mbi mbrojtjen ekologjike dhe zhvillimin cilësor të pellgut të Lumit të Verdhë. Së treti, duhet të forcojnë ndërtimin e brendshëm, për të shfaqur një imazh të ri të forcave pjesëmarrëse në qeverisje në kuadër të socializmit me karakteristika kineze./cgtn





























































