Në mëngjesin e së mërkurës, në Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare të Kinës u hap një kurs trajnimi për funksionarë të lartë ushtarakë.
Në fjalimin e vet të rastit, Xi Jinping, Sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Qendror të PKK-së, president i Kinës dhe kryetar i Komisionit Qendror Ushtarak, theksoi domosdoshmërinë e korrigjimit ideologjik dhe besnikërisë politike në ushtri, për të forcuar përgatitjen e kuadrove të lartë ushtarakë, në mënyrë që të ruhet pastërtia dhe lavdia e ushtrisë popullore, duke mirëpritur 100-vjetorin e themelimit të Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Kinës.
Xi vuri në dukje se PKK-ja është një parti politike marksiste që përfaqëson interesat themelorë të shtresave më të gjera të popullit dhe nuk synon interesa vetjakë. “Të gjitha mendimet dhe sjelljet që synojnë interesa individualë ose korrupsion, janë kundër natyrës dhe qëllimeve të Partisë. Kuadrot ushtarakë në të gjitha nivelet duhet ta vendosin veten në këtë pozitë të drejtë, të qëndrojnë në anën e interesave të masave popullore dhe të kapërcejnë çdo mendim të kundërt egoist. Veçanërisht kuadrot e rangut të lartë duhet të veprojnë si shembull në rikthimin dhe vazhdimin e traditave të shkëlqyera të Partisë dhe ushtrisë sonë, duke siguruar kështu që një frymë integriteti dhe drejtësie në ushtrinë tonë,” shtoi Xi.
Sipas tij, kuadrot e lartë ushtarakë duhet të zotërojnë si duhet ligjet dhe disiplinën, të jenë të qartë për rregullat e normat dhe të ruajnë ndërgjegjësimin për zbatimin e rreptë të tyre. Të gjithë kuadrot janë të barabartë para ligjeve, rregulloreve e disiplinës dhe askush nuk ka privilegj të veçantë.
“Partia dhe ushtria jonë janë rritur e forcuar vazhdimisht nëpërmjet luftës kundër mendimeve dhe sjelljeve të ndryshme të gabuara,” vuri në dukje Xi Jinping. Ai shprehu besimin se Ushtria Çlirimtare Popullore do të arrijë një nivel bashkimi si kurrë më parë në kushtet e reja historike, duke shkruar kështu një kapitull të ri në ndërtimin e një ushtrie të fortë, në lavdi të paraardhësve, të historisë shekullore dhe të kësaj epoke./cgtn




























































