Vizita e kryetares së partisë së Guomindanit Kinez (KMT) Cheng Liwun në pjesën kontinentale të Kinës është në përputhje me opinionin publik kryesor në Tajvan, tha të mërkurën zëdhënësja e Zyrës së Çështjeve të Tajvanit të Këshillit të Shtetit Zhu Fenglian.
Ajo u shpreh kështu në një konferencë të rregullt shtypi, në përgjigje të një pyetjeje rreth një sondazhi në internet lidhur me vizitën e Cheng Liwun-it. Sipas sondazhit, 60 % e pjesëmarrësve në të besojnë që kjo vizitë do të ketë një ndikim pozitiv në zgjedhjet e këtij viti në kontetë dhe qytetet e qeverisura prej Guomindanit.
Cheng mbërriti në krye të një delegacioni në Shangai me avion të martën. Ajo bëri homazhe të mërkurën në mëngjes në Mauzoleun e Sun Jat Senit në Nankin, kryeqendër e provincës Jiangsu të Kinës Lindore. Përveç Jiangsu-së, kryetarja e KMT-së do të vizitojë edhe Shangain dhe Pekinin.
Zhu theksoi se vizita bazohet në themelet e përbashkëta politike të zbatimit të Konsensusit të vitit 1992 dhe kundërshtimit të “pavarësisë së Tajvanit” dhe ndihmon në nxitjen e dialogut e të shkëmbimeve. “Vizita përputhet me ndjenjën kryesore të publikut në Tajvan, e cila është për paqen, zhvillimin, komunikimin dhe bashkëpunimin,” tha zëdhënësja, duke shtuar se udhëtimi i Cheng Liwun-it në pjesën kontinentale, që do të zgjatë deri të dielën, po mirëpritet dhe mbështetet nga publiku në Tajvan./cgtn




























































