Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, thotë se lufta e Rusisë kundër Ukrainës është e ndërlidhur me konfliktin e Shteteve të Bashkuara me Iranin, duke shtuar se Moska është “shumë e kënaqur” që vëmendja e Uashingtonit po zhvendoset nga lufta në Ukrainë drejt Lindjes së Mesme.
“Rusia i dha dronë Iranit”, tha Zelensky në një intervistë për Fox News, një pjesë e së cilës u publikua më 31 korrik, duke shtuar se Teherani i kishte përdorur këto armë me të cilat Moska e furnizoi për të sulmuar vende në Lindjen e Mesme.
“[Copëzat] janë ruse në dronët e shkatërruar… Të gjithë e panë këtë”, tha ai.
Irani që një kohë të gjatë është aleat i Rusisë. Pajisjet dhe teknologjia e tij ushtarake kanë qenë vendimtare gjatë fazës së parë të përpjekjeve luftarake të Moskës kundër Ukrainës. Sipas vlerësimeve të Kievit, ushtria ruse ka përdorur dhjetëra mijëra dronë Shahed për të sulmuar Ukrainën që nga fillimi i pushtimit në shkallë të gjerë në shkurt të vitit 2022.
Tani, në një kohë kur Teherani ka nevojë për mbështetje, presidenti ukrainas shtoi se ishte “absolutisht” i bindur se Moska i kishte siguruar Iranit imazhe satelitore të bazave ushtarake amerikane në të gjithë Lindjen e Mesme.
“Rusia është shumë e kënaqur që nuk ka një përfundim të luftës, një përfundim real të luftës në Lindjen e Mesme… Sepse ata e kuptojnë se, meqë SHBA-ja është e përfshirë në këtë luftë, ajo nuk mund ta ndihmojë Ukrainën në të njëjtin nivel si më parë”, tha Zelensky.
Pjesa e kësaj interviste u publikua disa ditë pasi Zelensky u kthye nga Shtetet e Bashkuara, ku tha se presidenti amerikan, Donald Trump, kishte rënë dakord t’i siguronte Kievit licenca për raketat Patriot.
Ukraina ka kërkuar me ngulm të sigurojë më shumë kapacitete të mbrojtjes ajrore për t’u mbrojtur nga sulmet e përditshme ajrore të Rusisë dhe për t’u përgatitur për një tjetër dimër, gjatë të cilit Moska mund të intensifikojë sërish sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të vendit, duke lënë mijëra njerëz pa ngrohje ose energji elektrike gjatë acarit.
























































