Kina është e gatshme të punojë me të gjitha palët për të nxitur sigurinë energjetike globale dhe zhvillimin e qëndrueshëm, tha të enjten zëvendëskryeministri kinez Ding Xuexiang gjatë fjalimit të tij në ceremoninë e hapjes së Takimit të 16-të të Ministrave të Energjisë të Bashkëpunimit Ekonomik të Azi-Paqësorit (APEC) në Pekin.
Ding, që është edhe anëtar i Komitetit të Përhershëm të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, u shpreh më tej që Kina do të mbrojë gjithmonë qëndrueshmërinë e tregjeve globale të energjisë, do të kontribuojë në tranzicionin e gjelbër dhe me karbon të ulët global, si edhe do të marrë pjesë në bashkëpunimin energjetik ndërkombëtar.
Zëvendëskryeministri vuri në dukje po ashtu se Kina është e përkushtuar aktivisht në bashkëpunimin praktik në sektorin energjetik brenda kuadrit të APEC-ut, duke promovuar në mënyrë efektive zhvillimin rajonal të energjisë dhe duke dhënë kontribute të rëndësishme për mbrojtjen e sigurisë energjetike globale.
Për të nxitur sigurinë energjetike globale dhe zhvillimin e qëndrueshëm, Ding bëri thirrje për përpjekje për të zhvilluar fuqimisht burimet e shpërndarjes së energjisë dhe infrastrukturën e ngarkimit të baterive, për të rritur zhvillimin përfshirës të energjisë në rajonin e Azi-Paqësorit.
Numri dy i qeverisë kineze gjithashtu kërkoi kryerjen e kërkimit dhe zhvillimit në bashkëpunim për teknologjitë në zhvillim, si ruajtja e energjisë së re e rrjetet digjitale, dhe promovimin e teknologjive dhe skenarëve të pjekur të aplikimit, për të fuqizuar më mirë tranzicionin energjetik në rajonin e Azi-Paqësorit.
Është e nevojshme të sigurohet funksionimi i qëndrueshëm i zinxhirëve industrialë e të furnizimit të energjisë dhe të lehtësohet funksionimi i lirshëm i tregjeve energjetike rajonale e globale, shtoi Ding./cgtn
















































