Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi priti pasditen e djeshme kreun e FRONTEX, Hans Leijtens, me të cilin nënshkroi Memorandumin e Mirëkuptimit ndërmjet Agjencisë Europiane të Kufirit dhe Rojës Bregdetare dhe Ministrisë së Brendshme mbi Mekanizmat e Ankesave për veprimet e kryera nga anëtarët e ekipeve të këtij misioni në vendin tonë.
“Menaxhimi i kufirit dhe respektimi i të drejtave të njeriut nuk përjashtojnë njëra-tjetrën. Ne jemi maksimalisht të vendosur të garantojmë respektimin e plotë të të drejtave të njeriut”, u shpreh Çuçi për marrëveshjen.
Ai shtoi se FRONTEX është një histori suksesi në vendin tonë.
![](https://www.argumentum.al/wp-content/uploads/2023/06/c4-300x182.jpg)
“Shqipëria si vend tranzit luan një rol të rëndësishëm për t’i prerë rrugën flukseve migratore nga Afrika dhe Lindja e Mesme dhe kontribuon aktivisht në sigurinë e vetë kufijve të BE”, tha ministri Çuçi.
Mekanizmi i Ankesave i Agjencisë do të trajtojë ankesat e paraqitura kundër shkeljes së pretenduar të të drejtave themelore të kryera nga anëtarët e ekipeve policore gjatë operacioneve në zonat kufitare për parandalimin e flukseve migratore dhe goditjen e krimit ndërkufitar.