Marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë për migrantët është në përputhje me Kushtetutën. Ky është vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që pritet të publikohet edhe zyrtarisht.
Sipas lajmit të publikuar në media, Gjykata Kushtetuese në fund të shqyrtimit të kërkesës së 37 deputetëve të opozitës, ku kërkohej vlerësimi si i papajtueshëm me Kushtetutën i marrëveshjes së nënshkruar nga Kryeministri Edi Rama dhe homologia e tij italiane, Giorgia Meloni, vendosi rrëzimin e kërkesës.
Drafti për marrëveshjen për emigrantët, u miratua në Qeverinë italiane në 5 dhjetor dhe u dërgua në parlamentin italian për miratim. Më 6 nëntor 2023 kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni nënshkruan në Romë marrëveshjen për ndërtimin në Shqipëri të dy qendrave për strehimin e emigrantëve.
Sipas marrëveshjes porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal pritës është 3 mijë shtretër.
/Argumentum.al




























































