Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka ndërprerë vizitën zyrtare në Shtetet e Bashkuara dhe është kthyer me urgjencë në Beograd pas një episodi të papritur shëndetësor, që dyshohet se është shkaktuar nga tensioni i lartë i gjakut.
Vuçiç, 55 vjeç, është ndjerë keq gjatë një takimi të premten në SHBA dhe ka vendosur të kthehet menjëherë në atdhe, pavarësisht këshillës së mjekëve amerikanë për të qëndruar nën mbikëqyrje. Pas mbërritjes në Serbi, ai është trajtuar në Spitalin Ushtarak të Beogradit.
Sipas kardiologut Dragan Dinçiç, Vuçiç iu nënshtrua terapisë shtesë dhe ndodhet në “gjendje të qëndrueshme dhe të kënaqshme”. Megjithatë, ai nuk pritet të rifillojë aktivitetet publike për disa ditë dhe nuk do të shtrohet në spital.
Gjatë qëndrimit në SHBA, Vuçiç kishte zhvilluar takime në Miami, përfshirë edhe me ish-kryetarin e Bashkisë së Nju Jorkut, Rudy Giuliani, ndërsa kishte shprehur dëshirën për një takim me ish-Presidentin Donald Trump.
Richard Grenell, i dërguari i posaçëm i SHBA-së për misione speciale, reagoi në rrjetin X duke i uruar shërim të shpejtë presidentit serb: “Më vjen keq që ju kam humbur, por shpresoj se gjithçka është në rregull”.
Vuçiç pritet të udhëtojë drejt Moskës më vonë këtë muaj për të marrë pjesë në paradën e Ditës së Fitores, pavarësisht paralajmërimeve nga zyrtarë të Bashkimit Evropian se kjo mund të dëmtojë përpjekjet e Serbisë për anëtarësim në BE.
Vuçiç ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës. Ai gjithashtu ka qenë nën presion në vend pas gjashtë muajsh protestash të vazhdueshme kundër korrupsionit të shkaktuara nga shembja e një çatie në një stacion treni në veri të vendit që vrau 16 persona.
Argumentum.al