Pakistani tha sot se ka shkatërruar një sistem indian të mbrojtjes ajrore me raketa hipersonike në një kundërsulm – pasi India sulmoi me raketa disa baza ushtarake.
Në një deklaratë, ushtria pakistaneze tha se kishte shënjestruar qytetin indian të Adampur, në shtetin e Punjabit, duke shkatërruar një “sistem S-400” me vlerë 1,5 miliardë dollarë.
Media indiane e ka kundërshtuar raportin, me gazetën “The Indian Express” ku sipas një përfaqësuesi ushtarak indian, sistemi nuk ishte goditur.
Raketat hipersonike shihen si të rrezikshme pasi fluturojnë me shpejtësi shumë të lartë, duke e bërë të vështirë për sistemet e mbrojtjes ajrore t’i interceptojnë ato.
Deklarata erdhi pasi Pakistani tha më herët, se po hakmerrej pas zmbrapsjes së tre sulmeve indiane, ndërsa tensionet vazhdojnë të rriten midis fqinjëve të armatosur me armë bërthamorë në Azisnë Jugore.
Në një postim në X, qeveria pakistaneze tha se sulmet që synonin tre baza ushtarake në Pakistan ishin zmbrapsur pa asnjë viktimë ose dëm.
“Pakistani nisi kundërsulmin për të mbrojtur tokën, hapësirën ajrore dhe sigurinë kombëtare të saj. Çdo pëllëmbë e atdheut do të mbrohet”, tha Islamabadi.
Sipas mediave shtetërore pakistaneze, disa objektiva ushtarake indiane u goditën dhe u shkatërruan. Fillimisht nuk pati konfirmim zyrtar nga India.
Ministria indiane e Mbrojtjes tha se “përshkallëzimi i vazhdueshëm” i Pakistanit ishte shqetësues, pas rrëzimit të disa dronëve sot në mëngjes.
“Kjo përpjekje për të shkelur sovranitetin e Indisë dhe për të rrezikuar jetën e civilëve është e papranueshme”, shkroi departamenti në X.