Aktivitetet e fundit të Serbisë, përfshirë shpalljen e “Ditës së Unitetit, Lirisë dhe Flamurit Kombëtar Serb” dhe zhvillimin e paradës ushtarake më 20 shtator, kanë nxitur shqetësime për ndikimin që mund të kenë në stabilitetin e Ballkanit. Dr. Gurakuç Kuçi, hulumtues i lartë në Institutin për Studime të Luftës Hibride “OCTOPUS”, paralajmëron për rreziqet e nacionalizmit serb dhe përpjekjet për të shtrirë ndikimin serb në rajon, të cilat mund të kthehen në një kërcënim të shtuar për paqen dhe sigurinë e Ballkanit.
Në një analizë të tijën, Dr. Kuçi e konsideron “Ditën e Unitetit Serb” si një hap të mundshëm për forcuar simbolikën e një kombi të bashkuar serb, duke i rikthyer atij ngjarjet e Luftës së Parë Botërore dhe ofensiveve ushtarake që lidheshin me kolonizimin e Kosovës. Ai vëren se ky lloj festivali nacionalist është një mjet për të fuqizuar retorikën e “Botës Serbe”, një ideologji që kërkon integrimin e territoreve të tjera dhe rishikimin e kufijve të rajonit, që e bën të mundur shtrirjen e ndikimit serb.
Sipas Dr. Kuçit, parada ushtarake e organizuar me stilin e fuqive të mëdha si Rusia dhe Kina, ishte më shumë se një demonstrim i forcës. Ajo ishte një mënyrë për të promovuar një agjendë politikisht të instrumentalizuar, që përfshin përpjekjen për të krijuar një klimë të qëndrueshme të nacionalizmit, duke ushqyer ndjenja të pasigurisë dhe tensioneve në rajon.
Dr. Kuçi e lidh këtë me politikën e Serbisë për të “stabilizuar” rajonin përmes një lloj të ashtuquajturë “stabiliokracie,” ku përdorimi i nacionalizmit dhe politikës së forcës është një mjet për të kontrolluar popullin dhe për të forcuar pushtetin e liderëve të tanishëm, sidomos të presidentit Aleksandar Vuçiq. Ai thekson se ky stabilizim është gjithashtu një mundësi për të krijuar një hapësirë për qëllimet strategjike të Rusisë në Ballkan, që mund të çojnë në një pasiguri më të thellë në rajon.
“Bota Serbe nuk është vetëm një mit nacionalist, por një projekt politik që mund të nxisë tensione të reja dhe të pengojë integrimin e rajonit në struktura ndërkombëtare të stabilitetit, si Bashkimi Evropian,” shprehet Dr. Kuçi.
Komenti i plotë i Dr. Gurakuç Kuçi
Kolonizimi i djeshëm, propaganda e sotme, kërcënimi i nesërm
Në gusht 2020, presidenti i Serbisë Aleksander Vuçiq, në koordinim me autoritetet e Republika Srpska-s, shtynë përpara idenë e krijimit të “Ditës së Unitetit, Lirisë dhe Flamurit Kombëtar serb”. Në të njëjtën kohë, ministri i atëhershëm i Mbrojtjes, Aleksander Vulin, sot në listën e zezë të SHBA-së, e proklamoi publikisht projektin e ashtuquajtur “Bota Serbe”.
Kjo “ditë e unitetit serb” është lidhur me ofensivën e 15 shtatorit 1918 në Frontin e Selanikut, gjatë Luftës së Parë Botërore. Pikërisht në të njëjtën periudhë filloi edhe procesi i kolonizimit të Kosovës me serbë dhe shpërngulja e shqiptarëve, siç e dokumenton Dr. Milovan Obradoviq në librin “Reforma Agrare dhe Kolonizimi i Kosovës 1918-1941”.
Parada e sotme, ku Serbia shfaqi “forcën” ushtarake sipas modelit të Kinës dhe Rusisë, shërben si mjet mobilizimi përmes nacionalizmit dhe frikësimit, duke ushqyer propagandën shtetërore. Fakti që parada u zhvillua më 20 shtator, dhe jo më 15 shtator, vetëm për shkak se Vuçiq ishte jashtë vendit, tregon se pas retorikës së “bashkimit” fshihet një projekt i kontrolluar politikisht dhe i instrumentalizuar për pushtetin e tij personal.
Ky pushtet është edhe themeli i shtrirjes së Rusisë në Ballkanin Perëndimor, prandaj çdo politikë për shkak të “stabiliokracisë” dhe “paqëtimit” është dhënie kohë për realizimin e “Botës Serbe”.
/Argumentum.al