Pretendimet e autoriteteve izraelite se Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ali Khamenei, mund të jetë vrarë gjatë sulmeve ajrore të fundit kanë shkaktuar reagime të forta nga Teherani, i cili i ka mohuar kategorikisht raportimet.
Çfarë po thotë Izraeli
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi se ka “shumë shenja” që Khamenei mund të mos jetë më gjallë pas sulmeve të përbashkëta izraelito-amerikane ndaj objektivave në Tehran. Sipas zyrtarëve izraelitë të cituar nga media, kompleksi ku ndodhej lideri iranian është goditur rëndë.
Disa raportime, duke cituar burime anonime, pretendojnë madje se trupi i Khameneit është gjetur në rrënoja. Megjithatë, deri tani nuk ka prova të publikuara që ta konfirmojnë këtë pretendim.
Reagimi i Iranit
Autoritetet iraniane i kanë cilësuar raportimet si “luftë psikologjike” dhe propagandë. Sipas mediave shtetërore iraniane, Khamenei është gjallë dhe vazhdon të ushtrojë detyrën e tij si udhëheqës suprem.
Zyrtarë iranianë kanë theksuar se nuk ka asnjë njoftim zyrtar për ndryshim në strukturën e udhëheqjes së vendit dhe se pretendimet izraelite janë të pavërteta.
Gjithsesi deri në këto momente, nuk ka konfirmim të pavarur nga organizata ndërkombëtare apo burime neutrale për vdekjen e Khameneit. Shumica e mediave globale po raportojnë deklaratat e të dyja palëve duke theksuar se statusi i tij mbetet i pakonfirmuar.
Situata vjen në një moment tensioni të lartë në rajon, me përshkallëzim të operacioneve ushtarake dhe frikë për zgjerim të konfliktit.
/Argumentum.al




























































