Diplomati i lartë kinez Wang Yi u takua të hënën në Pekin me Jonathan Powell, këshilltarin e sigurisë kombëtare të kryeministrit britanik. Të dy palët shkëmbyen pikëpamje mbi situatën në Iran, krizën në Ukrainë dhe çështje të tjera.
Wang, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës dhe drejtor i Zyrës së Komisionit Qendror për Punët e Jashtme, tha se vizita historike dhe e suksesshme e Kryeministrit Britanik Keir Starmer në Kinë në janar, ka marrë përgjigje pozitive nga të dy vendet dhe komuniteti ndërkombëtar.
Kjo tregon se ndërtimi i një partneriteti strategjik afatgjatë, të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës midis Kinës dhe Britanisë së Madhe, është në përputhje me kohën dhe vullnetin e popullit, tha ai.
Ai shtoi se kjo tregon gjithashtu se sfidat mund të menaxhohen dhe problemet mund të adresohen, për sa kohë që të dyja palët punojnë në të njëjtin drejtim dhe zhvillojnë dialog konstruktiv.
Ai bëri thirrje që të dyja palët të zbatojnë kuptimet e përbashkëta të arritura midis udhëheqësve të dy vendeve, të zhvillojnë shkëmbime në të gjitha nivelet, të thellojnë bashkëpunimin në të gjitha frontet dhe të menaxhojnë në mënyrë efektive diferencat për të avancuar zhvillimin e qëndrueshëm të marrëdhënieve bilaterale.
Nga ana e tij, Powell tha se Britania e Madhe është e gatshme të ndjekë vizitën e kryeministrit, të forcojë komunikimin dhe bashkëpunimin dhe të punojë me Kinën për të zhvilluar një partneritet strategjik gjithëpërfshirës afatgjatë dhe të qëndrueshëm.
Gjatë takimit, Wang dhe Powell shkëmbyen gjithashtu pikëpamje mbi situatën në Iran, krizën në Ukrainë dhe çështje të tjera.
Wang shpjegoi qëndrimin objektiv dhe të paanshëm të Kinës, duke vënë në dukje se efektet e përhapjes së situatës në Iran po zgjerohen dhe se një konflikt i zgjatur do të shkaktojë vetëm më shumë viktima dhe pasoja më të rënda.
Gjithashtu theksoi se ajo ç’ka palët duhet të bëjnë tani, nuk është të hedhin benzinë në zjarr, por të adresojnë shkakun rrënjësor dhe ta kthejnë çështjen në rrugën e zgjidhjes politike përmes dialogut dhe negocimit./cgtn





























































