Marrëveshje me Italinë. Prodhimi i anijeve luftarake në Pashaliman, Shqipëria synon eksportin dhe 400 vende pune të reja
Në kantierin detar të Pashalimanit pritet të nisë prodhimi i anijeve lundruese për Forcat e Armatosura shqiptare, me objektiv edhe eksportin drejt vendeve aleate, pas një marrëveshjeje bashkëpunimi me Italinë.
Marrëveshja u finalizua mes shoqërisë “Kayo” sh.a., e cila operon në industrinë e mbrojtjes dhe sigurisë, dhe kompanisë italiane “Fincantieri”, një nga ndërtuesit më të mëdhenj të anijeve në Europë.
Në ceremoninë e nënshkrimit ishin të pranishëm Kryeministri Edi Rama, ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi, si dhe përfaqësues të lartë të kompanisë italiane.
Sipas palëve, ky partneritet shënon një hap strategjik për modernizimin e Forcave të Armatosura dhe zhvillimin e industrisë vendase të mbrojtjes, duke e pozicionuar Shqipërinë si një bazë të re prodhimi në rajon për mjete detare ushtarake dhe civile.
Kryeministri Rama e cilësoi marrëveshjen si një moment të rëndësishëm për të ardhmen e sigurisë dhe ekonomisë së vendit, duke theksuar se ajo synon krijimin e një ekselence italo-shqiptare në industrinë detare dhe zhvillimin e teknologjive të avancuara në Pashaliman.
Ai shtoi se Forcat e Armatosura shqiptare do të përfitojnë dy anijet e para të prodhuara në kantier, ndërsa më pas prodhimi do të vijojë edhe për eksport. Sipas tij, kjo do të çojë flotën shqiptare në rreth shtatë mjete lundruese, në përputhje me standardet e NATO-s.
Nga ana e tij, ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi deklaroi se marrëveshja i jep Shqipërisë vlerë të shtuar industriale dhe eksportuese, duke e kthyer vendin në një partner të ri të rëndësishëm për “Fincantieri”-n në Europë.
Ai theksoi gjithashtu se bashkëpunimi parashikon punësimin e rreth 400 personave në kantierin e ri dhe rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe njerëzore në vend.
Projekti përfshin gjithashtu përfshirjen e të rinjve shqiptarë në procesin e formimit profesional, në bashkëpunim me ekspertët e kompanisë italiane.
Ky zhvillim pritet të shënojë një fazë të re për industrinë ushtarake dhe detare shqiptare, duke e pozicionuar vendin në tregun rajonal dhe ndërkombëtar të ndërtimit të mjeteve lundruese.
/Argumentum.al



























































