Presidenti kinez Xi Jinping kërkoi të enjten përpjekje më të mëdha e masa më konkrete për të forcuar kërkimin bazë, për të rritur kapacitetin e Kinës për inovacion origjinal dhe për të forcuar më tej themelet për fuqizimin e vendit në fushën e shkencës dhe teknologjisë.
Xi, gjithashtu sekretar i përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës dhe kryetar i Komisionit Qendror Ushtarak, i tha këto gjatë pjesëmarrjes në një simpozium për forcimin e kërkimit bazë në Shangai.
Në këtë simpozium, Xi Jinping mbajti një fjalim të rëndësishëm. Ai theksoi se, që nga Kongresi i 18-të Kombëtar i Partisë Komuniste të Kinës (PKK), Komiteti Qendror i PKK-së i ka kushtuar rëndësi të madhe kërkimit bazë dhe ka përmirësuar ndjeshëm nivelin e kërkimit bazë në Kinë, duke optimizuar projektet kërkimore, duke rritur investimet dhe duke inovuar sistemet e mekanizmat. Aktualisht, raundi i ri i revolucionit teknologjik dhe i transformimit industrial po përshpejtohet, konkurrenca teknologjike globale po përqendrohet gjithnjë e më shumë në fushat bazë e të përparuara dhe rëndësia e inovacionit origjinal e transformues po bëhet gjithnjë e më e spikatur. “Ne duhet të shfrytëzojmë mundësitë, të përballemi me sfidat dhe ta vendosim me zell kërkimin bazë në agjendën tonë të rëndësishme, të vazhdojmë ta ndjekim atë dhe të arrijmë vazhdimisht rezultate të reja,” u shpreh presidenti kinez.
Xi theksoi më tej nevojën për të forcuar planifikimin e përgjithshëm dhe projektimin e nivelit të lartë, si dhe për të optimizuar strukturën e sistemit të kërkimit bazë. Ai kërkoi respektimin e udhëzimit strategjik të “katër orientimeve” (përballja me shkencën dhe teknologjinë globale, përballja me fushëbetejën kryesore të zhvillimit ekonomik, përballja me nevojat e mëdha kombëtare dhe përballja me shëndetin e njerëzve) dhe sqarimin e mëtejshëm të drejtimeve kryesore dhe fushave kryesore të kërkimit bazë.
Xi u shpreh që është e nevojshme të promovohet zhvillimi i integruar i talenteve në arsim, shkencë e teknologji dhe të bëhet një punë e mirë në të gjitha aspektet e përgatitjes, paraqitjes dhe shfrytëzimit për të zgjeruar grupin e talenteve për kërkimin bazë. Sipas tij, duhet të ndiqen ligjet e zhvillimit të talenteve, të përmirësohet cilësia e arsimit dhe të kultivohet vazhdimisht një rezervë talentesh për kërkimin bazë.
Xi vuri në dukje më tej nevojën për të forcuar mbështetjen dhe mbrojtjen e kërkimit bazë. Ai kërkoi rritjen graduale të përqindjes së financimit për kërkimin bazë dhe krijimin e një strukture të diversifikuar investimesh, si edhe theksoi rëndësinë e planifikimit dhe ndërtimit sistematik të infrastrukturës kryesore shkencore e teknologjike dhe ndërtimit të sistemeve të platformave inteligjente të kërkimit. Xi bëri thirrje gjithashtu për përmirësimin e sistemit të klasifikimit dhe vlerësimit që t’u përshtatet karakteristikave të kërkimit bazë, përmirësimin e kushteve të punës e të jetesës së studiuesve të përfshirë në kërkimin bazë dhe nxitjen e një mjedisi inovativ të hapur, gjithëpërfshirës dhe tolerant që pranon dështimin. Së fundmi, ai theksoi nevojën për të forcuar integritetin e kërkimit.
“Ne duhet të integrohemi në mënyrë proaktive në rrjetin global të inovacionit, të thellojmë shkëmbimet e bashkëpunimin ndërkombëtar në kërkimin bazë, të trajtojmë së bashku çështjet shkencore madhore, si ndryshimi i klimës, energjia e mjedisi, si edhe jeta e shëndeti, dhe të marrim pjesë aktive në qeverisjen globale të shkencës dhe teknologjisë,” u shpreh kreu i shtetit kinez./cgtn



























































