Kina mori të premten presidencën mujore të radhës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për muajin maj. Fu Cong, përfaqësuesi i përhershëm i Kinës pranë OKB-së dhe president i Këshillit për këtë muaj, deklaroi që puna e Këshillit do të përqendrohet në ringjalljen e autoritetit të Kartës së OKB-së dhe rolit të Kombeve të Bashkuara, në nxitjen e një zgjidhjeje politike për çështjen e Lindjes së Mesme, si dhe në promovimin e qëndrueshmërisë dhe zhvillimit në vendet afrikane.
Bota ka parë shtim të trazirave vitet e fundit, me konflikte në rritje, me ndarje në zgjerim dhe me sistemin shumëpalësh e të drejtën ndërkombëtare nën presion të ndjeshëm, tha Fu. Ai bëri thirrje për veprime urgjente nga bashkësia ndërkombëtare për të forcuar autoritetin e Kartës së OKB-së dhe rolin e Kombeve të Bashkuara, për të parandaluar që bota “të rrëshqasë përsëri në ligjin e xhunglës” dhe “për të shpëtuar brezat pasardhës nga plaga e luftës”.
Fu tha se në këtë kontekst, Këshilli i Sigurimit do të zhvillojë një debat të hapur të nivelit të lartë në maj me temën e mbështetjes së qëllimeve dhe parimeve të Kartës së OKB-së dhe forcimit të sistemit ndërkombëtar të përqendruar te OKB-ja.
Foto nga VCG
Përparësia e dytë e Këshillit të Sigurimitështë avancimi i një zgjidhjeje politike për çështjen e Lindjes së Mesme. Fu theksoi që palët përkatëse duhet të tregojnë qetësi dhe përmbajtje, të ndalin luftimet, t’i zgjidhin mosmarrëveshjet nëpërmjet mjeteve diplomatike dhe të punojnë për uljen e tensioneve.
Sa i përket çështjes palestineze, Fu tha që situata në Gazë e në Bregun Perëndimor të lumit Jordan mbetet shqetësuese dhe se baza për “zgjidhjen me dy shtete” po dëmtohet. Ai i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të kërkojë nga palët përkatëse, veçanërisht Izraeli, të respektojnë plotësisht marrëveshjen e armëpushimit në Gazë, të sigurojnë qasjen humanitare dhe të ndalin aktivitetet e kolonizimit.
Gjithashtu, përfaqësuesi i Kinës kërkoi që Këshilli i Sigurisë të dërgojë një mesazh të qartë në mbështetje të sovranitetit, sigurisë e integritetit territorial të Libanit, si edhe të promovojë ndërprerjen e armiqësive dhe mbështetjen për qeverinë libaneze në stabilizimin e situatës së brendshme dhe garantimin e jetesës bazë për popullin libanez.
Përparësia e tretë është qëndrueshmëria dhe zhvillimi i vendeve afrikane. Fu theksoi që, ndërsa çështjet e nxehta në kontinentin afrikan kanë qenë gjithmonë në agjendën e Këshillit, presidenca kineze do të vazhdojë të përqendrohet te Afrika dhe të mbështesë zgjidhjen e problemeve afrikane nëpërmjet zgjidhjeve afrikane./cgtn



























































