FOKUS
Në demokraci, protesta është një e drejtë. Në demokraci, qytetari që kundërshton qeverinë nuk është armik. Por në Shqipërinë e vitit 2026, kryeministri Edi Rama duket se po ndërton një tjetër narrativë, atë të protestuesit si kërcënim.
Fillimisht ishin “agjenturat e huaja”. Më pas erdhën insinuatat për interesa serbe, ruse e greke. Në vijim u fol për ndikime iraniane, për “luftë hibride”, për duar të fshehta që vepronin nga jashtë kufijve të Shqipërisë. Më vonë protestuesit u akuzuan se po dëmtonin turizmin dhe ekonominë e vendit. Sot, sipas vetë kryeministrit, në protesta qenka shfaqur edhe një “frymë fashiste”.
Vetëm pak ditë më parë, Rama deklaroi se protestat po dominohen nga një frymë që nuk pranon mendimin ndryshe dhe e krahasoi atë me fillesat e lëvizjeve fashiste dhe naziste në Europë.
Së fundmi, kryeministri Edi Rama deklaroi se brenda protestës ekziston “një komponentë fashiste, një frymë fashiste”, duke argumentuar se ajo shfaqet te ata që, sipas tij, nuk pranojnë mendimin ndryshe dhe ushtrojnë presion ndaj qytetarëve që nuk i bashkohen protestës, raportoi ATSH.
Por lind një pyetje e thjeshtë: a ndihmon demokracinë etiketimi i një proteste me terma si “frymë fashiste”, “agjentura të huaja” apo instrumente të interesave të jashtme?
Në vend që të dëgjojë arsyet e protestës, kryeministri duket se ka zgjedhur të delegjitimojë protestuesit. Në vend që të debatojë me argumente, ai debaton me etiketa. Dhe historia na mëson se kur pushteti fillon të shohë armiq te qytetarët e vet, problemi nuk është më te protesta, por te vetë pushteti.
Madje, përmes kësaj narrative, Rama rrezikon të thellojë një përçarje të re në shoqërinë shqiptare. Kur protestuesit etiketohen si “fashistë”, “nazistë”, “agjentë” apo vegla të interesave të huaja, përcillet mesazhi se një pjesë e shqiptarëve përbën kërcënim për pjesën tjetër. Kjo logjikë e ndarjes mes “ne” dhe “atyre”, por minon vetë themelet e bashkëjetesës demokratike.
Por kush janë këta njerëz që dalin çdo mbrëmje në bulevard? Janë studentë, pedagogë, prindër, pensionistë, profesionistë, artistë dhe sipërmarrës. Disa mund të jenë votues të opozitës. Të tjerë mund të kenë votuar Partinë Socialiste. Shumë prej tyre janë thjesht qytetarë të zhgënjyer që kërkojnë të dëgjohen. Ata nuk pushojnë së qeni qytetarë vetëm sepse kundërshtojnë qeverinë. Nuk bëhen fashistë sepse protestojnë. Nuk bëhen agjentë sepse kërkojnë llogari. Nuk bëhen armiq sepse kërkojnë një Shqipëri më të drejtë.
Shqipëria ka nevojë për më shumë dialog dhe më pak etiketime. Ka nevojë për më shumë dëgjim dhe më pak demonizim. Sepse një kryeministër nuk duhet të ndërtojë mure mes shqiptarëve, por ura komunikimi mes tyre.
Protestuesit mund të kenë të drejtë ose mund të gabojnë. Mund të kenë zgjidhje ose jo. Por ata nuk pushojnë së qeni qytetarë vetëm sepse kundërshtojnë qeverinë. Ata nuk bëhen fashistë sepse protestojnë. Nuk bëhen agjentë sepse kërkojnë llogari. Nuk bëhen armiq sepse kërkojnë një Shqipëri më të drejtë.
Në fund të fundit, protesta nuk është kërcënimi i demokracisë. Protesta është një nga provat që demokracia ende jeton. Dhe kur mijëra qytetarë dalin në rrugë me flamurin kuqezi në duar, pyetja që duhet të shtrojë çdo qeveri nuk është “kush i dërgoi?”, por “pse kanë ardhur?”.
© 2026 Argumentum





























































