Një koleksion i ri të dhënash historike rreth Repartit 731, divizioni famëkeq japonez i sulmeve biologjike gjatë Luftës së Dytë Botërore (LBII), ka zbuluar më shumë prova për mizoritë e luftës së Japonisë në Kinë.
Të publikuara të mërkurën nga Salla e Ekspozitës së Provave të Krimeve të Kryera nga Reparti 731 i Ushtrisë Perandorake Japoneze në Harbin të provincës Heilongjiang të Kinës Verilindore, të dhënat konfirmojnë se në prag të disfatës së saj, ushtria japoneze groposi sasi të mëdha predhash kimike në Kinë.
Dëshmia gojore 70-minutëshe nga Hitoshi Tanizaki, ish-mjek në degën Hailar të Repartit 731, ofron prova të dorës së parë për kërkime të mëtejshme mbi armët kimike të braktisura të Japonisë në Kinë.
Hitoshi Tanizaki, ish-mjek në degën Hailar të Repartit 731, ofron prova në intervistë për median kineze/Foto nga Xinhua
Dëshmia u mblodh në vitin 2016 kur studiuesit nga Salla e Ekspozitës vizituan Japoninë. Tanizaki, emri origjinal i të cilit ishte Hitoshi Ozaki, tha në video se ishte 21 vjeç kur u bashkua me ushtrinë. Pasi u caktua në degën Hailar, ai e kuptoi se ishte një njësi ushtarake që shkelte ligjin ndërkombëtar. Dega Hailar ishte nën komandën e drejtpërdrejtë të selisë së Repartit 731 në Harbin, kryeqendër e provincës. Seksioni i saj i Parë ishte përgjegjës për kultivimin e baktereve, ndërsa Seksioni i Dytë kryente teste toksiciteti në burimet ujore, ndër detyra të tjera.
Me rëndësi të veçantë, Tanizaki zbuloi se ushtria japoneze kishte shkatërruar provat e krimeve të saj dhe kishte groposur predha kimike kur mundej. Ai konfirmoi se, gjatë tërheqjes, dega Hailar i vuri flakën të gjitha objekteve të saj, ndërsa njësia e luftës kimike e ushtrisë japoneze groposi fshehurazi sasi të mëdha predhash kimike.
Një eksperiment njerëzor nga Reparti 731/Foto nga VCG
“Nuk ishin baktere, por gaz helmues,” tha Tanizaki. Ai shtoi se ekzistonte një repart i luftës kimike, me bazë në distriktin Fulaerji të Qiqihar, Heilongjiang.
Reparti 731 ishte një bazë kërkimore biologjike dhe kimike tepër sekrete, i themeluar si një qendër nervore për luftën biologjike japoneze në Kinë dhe Azinë Juglindore gjatë Luftës së Dytë Botërore. Të paktën 3000 njerëz u përdorën në eksperimente njerëzore të kryera në të, dhe më shumë se 300.000 njerëz në Kinë u vranë nga armët biologjike të Japonisë./cgtn






















































