Të enjten, turma të mëdha njerëzish dolën në mbarë Kinën për të festuar 77-vjetorin e themelimit të vendit, me ceremoni të ngritjes së flamurit në Pekin, Hong-Kong dhe Makaos, ndërkohë që po zhvillohet një periudhë festash njëjavore.
Në sheshin Tiananmen, më shumë se 100.000 njerëz u mblodhën para agimit për të ndjekur ngritjen e flamurit kombëtar dhe për të kënduar himnin kombëtar. Sheshi ishte zbukuruar me një shportë lulesh 18 metra të lartë, që përmbante 15 kompozime florale dhe pesë lloje frutash, duke simbolizuar fillimin e Planit të 15-të Pesëvjeçar të Kinës (2026-2030).
Kërkesa për udhëtime është jashtëzakonisht e lartë. Sipas platformave kineze të udhëtimit, udhëtimet turistike 10-ditore ose më të gjata përbënin 26% të rezervimeve, ndërsa rezervimet për fluturime ndërkombëtare janë rritur me më shumë se 20% krahasuar me vitin e kaluar. Fluturimet e brendshme me distancë mbi 2000 km kanë kaluar shifrën 1.74 milionë, një rritje prej 14%, sipas platformës së të dhënave të fluturimeve “Umetrip”, e cila është platformë zyrtare për sektorin e aviacionit civil të Kinës.
Sipas Ministrisë së Transportit, parashikohet që gjatë periudhës së festave të kryhen 2.13 miliardë udhëtime të brendshme, ose rreth 300 milionë në ditë – shifër kjo rreth 1.7 herë më e lartë se nivelet normale. Vetëm në datën 1 tetor, numri i udhëtimeve mund të arrijë një rekord prej 340 milionësh, pothuajse dyfishi i trafikut të zakonshëm. Udhëtimet rrugore, përfshirë ato me automjete private, pritet të përbëjnë më shumë se 90% të të gjitha udhëtimeve, të favorizuara nga hyrja falas në autostrada për automjetet me shtatë ose më pak vende, nga data 1 deri më 7 tetor.
Sektori hekurudhor ka rritur kapacitetet. Grupi “China Railway Beijing” pret të transportojë pasagjerë për 22.32 milionë udhëtime gjatë periudhës 16-ditore të transportit festiv, nga 23 shtatori deri më 8 tetor, ku 1 tetori do të jetë dita më e ngarkuar me 1.79 milionë udhëtime.
Qeveria ka prezantuar gjithashtu masa për të nxitur shpenzimet në turizëm. Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka nisur një fushatë mbarëkombëtare që shtrihet nga fundi i shtatorit deri në fund të tetorit, ku autoritetet vendore planifikojnë të organizojnë më shumë se 20000 aktivitete dhe të ofrojnë kuponë e subvencione me vlerë mbi 310 milionë juanë (45,9 milionë dollarë)./cgtn




















































