Gjatë festës së Ditës Kombëtare, turizmi hyrës në Kinë vazhdon të marrë hov, ndërsa gjithnjë e më shumë vizitorë të huaj vijnë në Kinë për të përjetuar atraksionet e saj kulturore e turistike, si dhe për të parë nga afër hapjen dhe dinamizmin e vendit. Në gjysmën e parë të këtij viti, numri i shtetasve të huaj që hynë në Kinë arriti në 22.914 milionë, një rritje prej më shumë se 20% krahasuar me vitin e kaluar. Ndër ta, numri i hyrjeve pa vizë u rrit me 30.6% në baza vjetore.
Sipas një sondazhi global të kryer nga CGTN, 92.8% e të anketuarve thanë se përmbajtja në rrjetet sociale rreth udhëtimeve në Kinë, ka rritur interesin e tyre për të mësuar më shumë rreth vendit dhe për ta vizituar atë, ndërsa 87% u shprehën se vizita fizike në Kinë do t’i ndihmonte të krijonin një kuptim më të plotë dhe autentik të kulturës, shoqërisë dhe zhvillimit kinez.
Rritja e vrullshme e turizmit hyrës gjatë periudhës së festës nuk është rastësi. Ajo pasqyron përpjekjet e vazhdueshme të Kinës për të zgjeruar hapjen dhe për të lehtësuar udhëtimet midis Kinës dhe pjesës tjetër të botës. Vitet e fundit, Kina ka vazhduar të përmirësojë politikat e saj të vizave dhe të hyrjes. Politika e tranzitit pa vizë për 240 orë tani përfshin 57 vende, ndërsa shtetasit e 61 vendeve përfitojnë nga hyrja pa vizë për 30 ditë në provincën Hainan. Politikat e njëanshme dhe reciproke të heqjes së vizave, i kanë hapur edhe më tej dyert e Kinës ndaj botës. Këto masa kanë nxitur shkëmbimet ndërnjerëzore. Në gjysmën e parë të këtij viti, 17.815 milionë shtetas të huaj hynë në Kinë pa vizë, duke përbërë 77.7% të të gjitha hyrjeve të të huajve.
Sondazhi tregon se 91.8% e të anketuarve thanë se masat e Kinës për lehtësimin e vizave dhe hyrjes kanë rritur gatishmërinë e tyre për të udhëtuar drejt Kinës, ndërsa 89.5% besojnë se Kina po e përqafon botën me hapje dhe po ndan përfitimet e zhvillimit. Ndërsa turistët e huaj përjetojnë nga afër trenat me shpejtësi të lartë, pagesat përmes celularit dhe shërbimet e zgjuara turistike të Kinës, “Udhëtimi në Kinë” (China Travel) është shndërruar në një trend popullor në rrjetet sociale në mbarë botën, duke ndihmuar në shndërrimin e turizmit të festave në një burim rritjeje të qëndrueshme për ekonominë kineze. Ajo që i bën turistët e huaj të duan të kthehen në Kinë, nuk janë vetëm monumentet historike dhe kulturore si Muri i Madh dhe Qyteti i Ndaluar, por edhe komoditeti dhe inovacioni i jetës moderne. Nga pagesat pa ndërprerje me celular, te trenat me shpejtësi të lartë dhe shërbimet e përshtatshme të transportit me makinë, këto përvoja të përditshme po i ofrojnë botës një perspektivë të re mbi Kinën moderne. Veçanërisht, udhëtimet e fokusuara në teknologji në Kinë, po fitojnë gjithashtu popullaritet, me disa turistë të huaj që shpenzojnë mijëra dollarë në itinerare të personalizuara për të vizituar fabrika inteligjente për automjete me energji të re, për të përjetuar drejtimin autonom dhe për të parë lëshimet e raketave. “Të vizitosh Kinën për të parë të ardhmen” po bëhet një trend i ri.
Anketa tregon se 92.2% e të anketuarve besojnë se shërbimet e përshtatshme si pagesat me celular, trenat me shpejtësi të lartë dhe ndarja e udhëtimit me makinë, po bëhen një pjesë e rëndësishme e përvojës së udhëtimit në Kinë. Ndërkohë, 91.2% thanë se Kina po ofron hapësirë që teknologjitë dhe produktet e reja nga e gjithë bota të vihen në praktikë, me skenarët e saj të larmishëm të aplikimit dhe tregun e madh të konsumit, duke ndihmuar në nxitjen e industrive globale drejt një shkalle më të madhe dhe cilësie më të lartë.
Turizmi hyrës ofron një dritare të rëndësishme në ekonominë e një vendi. Pas turmave në portet hyrëse gjatë pushimeve, nuk fshihen vetëm rrjedha e informacionit dhe e parave, por edhe një rrjedhë besimi. Turistët e huaj po votojnë me bindje, duke treguar jo vetëm vlerësimin e tyre për peizazhet dhe kulturën e Kinës, por edhe besimin e tyre në perspektivat ekonomike të vendit. Sondazhi zbuloi se 89.8% e të anketuarve vlerësuan rritjen e qëndrueshme ekonomike të Kinës, ndërsa 80.6% besonin se ekonomia kineze mund të ruajë vrullin e saj pozitiv afatgjatë, me të dyja shifrat që mbetën të larta për katër vjet rresht. Ndërkohë, 71.7% thanë se ishin të gatshëm të udhëtonin, të vizitonin ose të studionin në Kinë. Rritja e vazhdueshme e turizmit hyrës është një tregues i fortë i përmirësimit të perspektivës ekonomike dhe vitalitetit të Kinës./cgtn




















































