Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Karl Bergner dhe ambasadori i Mbretërisë së Holandës, Reinout Vos, kanë lëshuar sot një deklaratë të përbashkët me rastin e Konferencës së 8-të Ndërqeveritare të Shqipërisë me BE-në në Bruksel.
Në deklaratë thuhet se “arritja e objektivave të ndërmjetme në grupkapitullin “Themeloret” përbën një hap të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”.
Ambasadorët përgëzojnë me këtë rast të gjithë qytetarët e Shqipërisë “si dhe të gjithë ata në politikë, administratë dhe drejtësi, që kanë kontribuuar duke u angazhuar fort në këtë drejtim”.
Ambasadorët nënvizojnë se, Shqipëria është pjesë e familjes evropiane, ndaj shtojnë se, Gjermania dhe Holanda mbështesin fuqimisht anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian.
“Një shtet ligjor i fortë, mbrojtja e të drejtave themelore dhe një demokraci pluraliste janë thelbi i vlerave evropiane. Kësisoj hapat përpara në lëmin e “Themeloreve” përcaktojnë shpejtësinë e Shqipërisë në rrugën drejt BE-së”, vijon deklarata.
Ndaj thuhet më tej në deklaratë, “arritja e objektivave të ndërmjetme përbën pikënisjen për hapa të mëtejshëm të Shqipërisë në funksion të forcimit të shtetit ligjor. Dakordësia për IBAR-in është shprehje e pritshmërisë dhe inkurajimit tonë të qartë për vijimin e reformave, zbatimin e tyre me vendosmëri në praktikë dhe konsolidimin e institucioneve përgjegjëse”.
“Respektimi i pavarësisë së drejtësisë dhe lufta pa pengesa e korrupsionit edhe në raste të nivelit të lartë janë kushte të panegociueshme për progresin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE. Këtu bën pjesë edhe fakti, që vendimmarrjet lidhur me heqjen e imunitetit duhet të jenë në harmoni me rekomandimet e komisionit të Venecias”, theksohet në deklaratën e përbashkët.
Ambasadori gjerman dhe ai holandez theksojnë se, “shtetet anëtare të BE-së i kanë parashtruar shumë qartë këto pritshmëri në Deklaratën e tyre të Përbashkët si kushte për përmbylljen e bisedimeve. Ashtu si institucionet dhe shtete të tjera anëtare të BE-së, edhe Gjermania do të ndjekë me shumë vëmendje zhvillimet në vijim si dhe do të mbështesë hapat e mëtejshëm të reformave”.



























































