“Ne i kushtojmë vëmendje të madhe bashkëpunimit me Kinën në fusha të tilla si automobilat, bujqësia dhe shërbimet financiare,” tha për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) ministri kanadez i Tregtisë Ndërkombëtare Maninder Sidhu në Ekspozitën e 6-të Ndërkombëtare të Produkteve të Konsumit të Kinës (CICPE), që përfundoi të shtunën në provincën Hainan të Kinës Jugore. Gjatë kësaj ekspozite shumë pjesëmarrës të huaj shprehën shpresat dhe optimizmin e tyre për bashkëpunimin me Kinën.
Si ekspozita e parë e madhe në vitin e parë të zbatimit të Planit të 15-të Pesëvjeçar (2026-2030) dhe pas vënies së jetë të politikave të favorshme tarifore në mbarë ishullin e Hainan-it, edicioni i kësaj here i CICPE-së ka tërhequr mbi 3 400 marka të njohura, ndër të cilat ato ndërkombëtare përbënin 65 %, 20 pikë përqindje më shumë në krahasim me vjet, ndërsa debutuan 277 produkte të reja, sa dyfishi i shifrës së vitit 2025.
Politikat e favorshme tarifore u kanë mundësuar shumë kompanive pjesëmarrëse zhdoganim të shpejtë dhe shitjen e produkteve menjëherë pas ekspozimit, duke e transformuar “ekspozimin në shitje”. Kështu, CICPE-ja është bërë edhe një platformë që pasqyron mundësitë e hapjes së Portit të Tregtisë së Lirë të Hainan-it. Për shembull, këtë herë Grupi CP nga Tajlanda solli një produkt kafeje, i cili është produkti i parë që përfitoi nga politika “pa tatim doganor për vlerën e shtuar të produkteve që përpunohen në Portin e Tregtisë së Lirë”. Në të ardhmen kompania do ta shfrytëzojë Hainan-in si një bazë për të zgjeruar biznesin në gjithë Kinën dhe në botë.
Foto nga CMG
Si një platformë globale për ekspozimin dhe tregtimin e mallrave të konsumit me cilësi të lartë, Ekspozita e Konsumit e këtij viti paraqiti produkte të gjelbra dhe me karbon të ulët, si dhe teknologji të përparuara, si syzet me inteligjencë artificiale dhe makinat fluturuese, duke demonstruar prirjen e konsumit të gjelbër dhe inteligjent. Njëkohësisht, edhe “ekonomia e përvojës” që ofron eksperiencë ndërvepruese është bërë një modë e re, duke nxitur përmirësimin e konsumit nga “blerja e gjërave” në “shijimin e jetës”.
Po çfarë mundësish të reja do të sjellë ngritja e nivelit të tregut kinez të konsumit për kompanitë e huaja?
Së pari, ndërsa ngrihet cilësia e jetës së banorëve kinezë, kërkesat zgjerohen natyrshëm. Plani i 15-të Pesëvjeçar dhe raporti i punës së qeverisë i këtij viti propozuan ndërmarrjen e veprimeve për të rritur konsumin dhe për të zgjeruar furnizimin me produkte me cilësi të lartë, për të përmbushur nevojat e larmishme të konsumit të grupeve të ndryshme të njerëzve. Në tremujorin e parë të këtij viti, shitjet me pakicë të shërbimeve u rritën me 5.5 %, 3.3 pikë përqindjeje më shumë se niveli i shtimit të shitjes me pakicë të mallrave, me një rritje veçanërisht të shpejtë në turizëm dhe kulturë.
Në të njëjtën kohë, kërkesat e konsumatorëve kinezë për produkte të reja do të nxitin risitë e kompanive. Zv.presidenti i Grupit “Volkswagen” në Kinë, Su Bahong, i tha CMG-së se kompania nxjerr një model të ri makinë në Kinë mesatarisht në çdo dy javë. “Ndërsa Kina promovon integrimin e thellë të inovacionit teknologjik dhe industrial, do të shfaqen një numër i madh fushash dhe aplikimesh të reja. Ne mezi presim të forcojmë bashkëpunimin me partnerët tanë kinezë dhe të marrim pjesë në këtë valë transformimi industrial.”
Foto nga CMG
Më e rëndësishmja, Kina ka hapur në mënyrë proaktive dyert e saj dhe ka ulur vazhdimisht pragun e hyrjes, duke krijuar “pista të reja” për kompanitë e huaja, që theksojnë se qëndrueshmëria dhe parashikueshmëria e rrallë e politikave të Kinës u kanë dhënë atyre një ndjesi më të prekshme se “investimi në Kinë është investim në të ardhmen”./cgtn




























































