Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) këshillon qytetarët amerikanë në mbarë botën, dhe veçanërisht në Lindjen e Mesme, të tregojnë kujdes të shtuar.
Sipas njoftimit të shpërndarë nga ambasada e SHBA-së në Tiranë, qytetarët amerikanë jashtë vendit duhet të ndjekin udhëzimet në njoftimet e sigurisë të lëshuara nga ambasada ose konsullata më e afërt e Shteteve të Bashkuara.
“Mbylljet periodike të hapësirës ajrore mund të shkaktojnë ndërprerje të udhëtimeve. Objektet diplomatike të Shteteve të Bashkuara, përfshirë ato jashtë Lindjes së Mesme, janë shënjestruar. Grupet mbështetëse të Iranit mund të shënjestrojnë interesa të tjera të Shteteve të Bashkuara jashtë vendit ose vende të lidhura me Shtetet e Bashkuara dhe/ose amerikanët në të gjithë botën”, citohet mesazhi i DASH-it.
Departamenti u bën thirrje qytetarëve të regjistrohen në step.state.gov për të marrë njoftimet më të fundit të sigurisë dhe të ndjekin kanalin “U.S. Department of State – Security Updates for U.S. Citizens” në WhatsApp ose @TravelGov në X.
“Kur planifikoni udhëtimin, lexoni me kujdes njoftimet e udhëtimit (Travel Advisory) dhe informacionin e detajuar për destinacionin tuaj, si dhe çdo njoftim të fundit në travel.state.gov/destination”, thekson DASH.
/Argumentum.al


























































